Armand Duka ka prekur një sërë çështjes sot në bashkëbisedimin e zhvilluar ditën e sotme me gazetarët në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”. Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit tregoi se vijon procesi në infrastrukturë për disa stadiume në Shqipëri, përfshirë edhe “Selman Stërmasin”. Madje për këtë të fundit tha:
Siç e thashë infrastruktura e zhvillimit të aktiviteteve profesioniste nuk është e keqe. Nëse do të kishim më shumë, akoma më mirë. Projektet e nisura janë në proces, në dijeninë time. Uroj që të vazhdojë. Faktikisht janë zvarritur pak. Më duket se “Selman Stërmasi” do të nisë punë këtë vit. Jemi interesuar për ta pasur në dispozicion, por na kanë thënë që do të nisë puna. Sigurisht që kryeqyteti ka nevojë për shumë fusha. Futboll luhet kudo dhe ne i jemi përgjigjur projekteve të “100 Fushave”. Nuk ka kufizime, qoftë edhe një subjekt privat, ne i përgjigjemi 50 përqind”.
A do të ketë faza e Final Four gjyqtarë të huaj apo do t’i besohet trupës shqiptare? Edhe për këtë, presidenti Duka tregoi vendimin e FSHF-së. Këtë vit nuk do të jenë Taylor apo Szymon Marciniak që gjykoi vjet, por sektori i arbitrimit do të caktojë gjyqtarët që do të jenë në minifazën e “Final Four”.
“Këtë pyetje ma bëri një drejtues klubi. Vitet e tjera është marrë një arbitër i huaj dhe jo shqiptar për të eleminuar paragjykimet. Ky është një miniturne që nuk është me një finale. Sektori i arbitrimit do të caktojë arbitrat që do të jenë për në Final Four. Ata do të jenë ata që do të gjykojnë në VAR dhe në fushë”, përfundoi Duka.
