Kursi “UEFA B Fitness Coach” i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit mirëpriti të ftuarin e radhës, përgatitësin e njohur atletik Davide Losi, i cili ndau eksperiencat e tij me trajnerët e përgatitjes fizike.
Losi ka një karrierë të pasur në disa prej klubet më prestigjioze të Europës si Napoli, Chelsea, Juventusi dhe Lazio, ndërsa aktualisht është pjesë e stafit të trajnerit Maurizio Sarri. Gjatë kursit ai u shpreh mbi rëndësinë e trajnimeve të strukturuara në nivelin profesionist dhe se si këto ndihmojnë në përgatitjen dhe mbajtjen në formë të lojtarëve.Gjatë prezantimit të tij, Losi shpjegoi procesin e përgatitjes sezonale që klubet e nivelit të lartë ndjekin, që nga faza fillestare e përgatitjeve deri në ditën e ndeshjes.
Ai theksoi organizimin e trajnimeve javore gjatë sezonit, duke u ndalur te rëndësia e shpërndarjes dhe kontrollit të ngarkesave të stërvitjes për të rritur performancën dhe për të parandaluar dëmtimet. Një ndër aspektet më të rëndësishme të diskutimit ishte përdorimi i testeve të avancuara që ndihmojnë trajnerët dhe stafin teknik të monitorojnë dhe të personalizojnë seancat stërvitore sipas metodologjisë së trajnerit. Këto teste sigurojnë që trajnimet të realizohen me efektivitet maksimal, duke mbajtur lojtarët në gjendje optimale gjatë gjithë sezonit sportiv.