Janë zhvilluar këtë të hënë ndeshjet e para të turneut “UEFA development” U-15 për vajza, që organizohet nga FSHF në datat 30 shtator – 5 tetor me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Kosovës, Estonisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Shqipëria U-15 luajti takimin e parë ndaj Kosovës dhe u mposht me shifrat 5-3.
Trajnerja Daniela Kodra hodhi në fushë këtë formacion startues: Ambra Reshiti (GK), Anita Boqaj (C), Reiana Jahelezi, Medina Haka, Elda Ahmeti, Laureta Dautaj, Aldisa Kronaj, Caroline Ëintz, Agnesa Mehmeti, Ava Hyseni, Adela Thaqi.
Pjesa e parë nisi shumë mirë për kombëtaren shqiptare, teksa Ava Hyseni kaloi në avantazh Shqipërinë në minutën e 7-të përmes një super goli nga goditja e dënimit, duke e dërguar topin drejt e në rrjetë. Epërsia zgjat tre minuta, pasi Kosova barazon shpejt rezultatin e ndeshjes, duke i çuar shifrat në 1-1.
Në minutën e 21-të Aldisa Kronaj dyfishon rezultatin për vajzat kuqezi, me një goditje nga jashtë zone, me topin që prek traversën dhe kalon vijën fatale. Festë në pankinën shqiptare. 7 minuta më vonë vjen edhe goli i tretë për Shqipërinë. Reiana Jahelezi realizoi nga distanca një tjetër super gol, me portieren kosovare që nuk e priti dot. Kosova shkurtoi rezultatin në minutën e 42-të, duke i çuar shifrat në 3-2. Pjesa e parë mbyllet me këtë rezultat.
Në fraksionin e dytë, Kosova përmbys rezultatin duke shënuar tre gola. Fillimisht Verona Kadaj barazoi rezultatin në minuten e 61-të, ndërsa Kuci e Mehmeti realizuan golat e fitores për Kosovën. Ndeshja mbyllet me rezultatin 5-3 për Kosovën.
Në ndeshjen tjetër të grupit të luajtur paraditen e sotme në “Shtëpinë e Futbollit”, Estonia mundi Maqedoninë e Veriut me rezultatin 3-1
Ndeshjet e dyta të këtij turneu do të luhen me 2 tetor po në “Shtëpinë e Futbollit”. Shqipëria do të përballet me Estoninë në ora 15:00, ndërsa Maqedonia e Veriut do të luajë ndaj Kosovës në ora 11:00.
Më poshtë edhe kalendari i turneut dhe rezultatet:
Ndeshjet e para (30 shtator)
Maqedoni e Veriut 1–3 Estoni
Shqipëri 3–5 Kosovë
Ndeshjet e dyta (2 tetor)
Maqedoni e Veriut – Kosovë, ora 11:00 “Shtëpia e Futbollit”
Shqipëri – Estoni, ora 15:00, “Shtëpia e Futbollit”
Ndeshjet e treta (5 tetor )
Estoni – Kosovë, ora 11:00 “Shtëpia e Futbollit”
Shqipëri – Maqedoni e Veriut, ora 15:00, “Shtëpia e Futbollit”