
Policia e Fierit ka proceduar penalisht presidentin e Apolonisë, Koço Kokëdhimën. Përmes një reagimi zyrtar blutë e Fierit bëjnë me dije se referuar në Prokurori një procedim penal për Kokëdhima për veprën penale “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive”.
Ky i fundit ditën e djeshme gjatë ndeshjes së futbollit FK Apolonia-FK Gramshi u fut në fushë dhe debatoi dhe shtyu me duar arbitrin e ndeshjes, Dorjan Maletaj.
"Specialistët e Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. K., 65 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë President i “FK Apolonia”, për femra, për veprën penale "Veprime të dhunshme në aktivitete sportive", pasi ditën e djeshme, gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit FK Apolonia-FK Gramshi, ky shtetas ka hyrë në fushë, në stadiumin "Loni Papuçiu” dhe ka debatuar e shtyrë me duar arbitrin e ndeshjes, shtetasin D. M.", bëjnë me dije Blutë e Fierit.
Ndeshja mes Apolonisë së vajzave dhe Gramshit e zhvilluar ditën e djeshme, përfundoi 1-0 në favor të fierakeve. Këta të fundit u ndëshkuan me dy kartonë të kuq, duke dhënë 25 minuta shtesë në fund të duelit, për shkak të vonesave.
Shkak i vonesave ishte hyrja në fushë e drejtuesve të Apolonisë, së bashku me presidentin e klubit, Koço Kokëdhima. Ky i fundit protestoi ndaj vendimeve të arbitrit Dorian Maletaj. Në krahun tjetër, drejtoresha e Gramshit, Edonisa Aliu publikoi videon e këtij momenti në rrjetet sociale, duke denoncuar këtë rast.
“Që të gjithë na kanë frikë, kjo nuk diskutohet. Por që të futet Presidenti i Apolonisë, bashkë me zyrtarët e klubit në fushë për të dhunuar arbitrin e ndeshjes. Këtë nuk e kisha menduar. Ja ku e keni Presidentin Kokëdhima bashkë e zyrtarët e tij që godasin, shtyjnë, ofendojnë me fjalorin e rrugës arbitrat e ndeshjes. Turp Turp Turp!”, shkruan Edonisa Aliu në Instagram.