
Ekipet Kombëtare të vajzave kanë nisur seancat stërvitore të përjavshme në “Shtëpinë e Futbollit”, nën drejtimin e stafeve teknike.
Që prej ditës së hënë, Kombëtaret U-19, U-17 dhe U-15 kanë nisur përgatitjet. Kombëtarja U-19 e vajzave u drejtua për herë të parë nga trajnerja, Daniela Kodra, ndërsa Kombëtarja U-15 nga trajnerja Rabie Tota. Përgatitjet po vazhdojnë edhe gjatë fundjavës.
Kombëtaret U-19 dhe U-17 po përgatiten edhe në kuadër të raundeve të para kualifikuese të Kampionateve Europiane, ndërsa Kombëtarja U-15 në kuadër të turneut UEFA Development U-15 për vajza.
Shqipëria U-19 bën pjesë në Grupin B2 me Sllovakinë, Luksemburgun dhe Lihtenshtejnin, ndërsa Kombëtarja U-17 në Grupin B2 me Greqinë, Izraelin dhe Estoninë.
Në turneun UEFA Development për vajza, Shqipëria U-15 do të përballet me Estoninë, Moldavinë dhe Kosovën.
Dy raundet e para kualifikuese të Europianit për vajzat U-17 dhe U-19 dhe turneu UEFA Development U-15 për vajza do të zhvillohen në muajt shtator, tetor, nëntor, dhjetor dhe do të organizohen nga FSHF.