Kupa e Shqipërisë për vajza ka hyrë tashmë në fazën më vendimtare, teksa ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve do të zhvillohen të shtunën dhe të hënën, duke premtuar spektakël dhe rivalitet.
Vllaznia ngre siparin e ndeshjeve të kthimit të kësaj faze. Shkodranet kanë hedhur një hap gjigand drejt fazës gjysmëfinale pas fitores bindëse 0-9 ndaj Atletik Klub në takimin e parë. Ndeshja e kthimit do të luhet nesër, në ora 10:00, në stadiumin “Reshit Rusi”.
Në të njëjtat pozita të favorshme ndodhet edhe Apolonia, që dominoi ndeshjen e parë ndaj Kinostudios me rezultatin e thellë 7-0. Fieraket janë shumë pranë gjysmëfinales, ndërsa takimi i kthimit kundër ekipit kryeqytetas zhvillohet nesër në ora 11:00, në Fier.
Përballja më e fortë dhe më e pritur e së shtunës mbetet dueli mes Teutës dhe Partizanit. Pas fitores 0-2 të durrsakeve në ndeshjen e parë, gjithçka mbetet e hapur në një sfidë që pritet të jetë intensive dhe e luftuar deri në fund. Takimi do të luhet në Durrës, duke nisur nga ora 12:00.
Faza e çerekfinaleve mbyllet të hënën me sfidën mes Gramshit dhe Egnatias, e planifikuar të luhet në ora 14:30. Gramshi ka avantazhin pas fitores 3-1 në ndeshjen e parë, por përballja e parë tregoi se emocionet dhe rivaliteti mes dy skuadrave do të jenë sërish protagonistë edhe në këtë takim.
Kupa e Shqipërisë për vajza – Ndeshjet e kthimit të fazës çerekfinale
Atletik Klub 0-9 Vllaznia/ Vllaznia – Atletik Klub, 24 janar, ora 10:00
Kinostudio 0-7 Apolonia/ Apolonia – Kinostudio, 24 janar, ora 11:00
Partizani 0-2 Teuta/ Teuta – Partizani, 24 janar, ora 12:00
Egnatia 1-3 Gramshi/ Gramshi – Egnatia, 26 janar, ora 14:30
