Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

FEMRAT

Botërori 2027 për vajza, Shqipëria merr një pikë të merituar në transfertën ndaj Çekisë

Shkruar nga NEWSPORT
Botërori 2027 për vajza,  Shqipëria merr një pikë
Kombëtarja Shqiptare e Vajzave

Kombëtarja e vajzave siguroi një barazim të rëndësishëm 1-1 në transfertë ndaj Çekisë, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës “Brazil 2027”.

Takimi i zhvilluar pasditen e sotme në stadiumin “FK Viktoria” në Pragë ishte i luftuar dhe me ritëm të lartë, ndërsa vajzat kuqezi treguan karakter dhe reagim të fortë pas disavantazhit. Golin e barazimit për skuadrën e drejtuar nga trajneri Armir Grima e realizoi Vanesa Levendi, duke i dhënë Shqipërisë një pikë të merituar në këtë transfertë.

Formacioni titullar ishte ky: Rajmonda Spahiu (GK), Klea Hamonikaj, Arbiona Bajraktari, Mikaela Metalla, Alma Hilaj, Arbenita Curraj, Ezmiralda Franja, Ilarja Zarka, Vanesa Levendi, Fortesa Berisha dhe kapitenia Megi Doçi.

Pjesa e parë u karakterizua nga një lojë e kujdesshme nga të dyja skuadrat. Çekia pati më shumë kontroll të topit dhe u afrua disa herë pranë zonës sonë, por mbrojtja kuqezi u tregua e organizuar dhe e vendosur, duke neutralizuar çdo tentativë të rrezikshme. Nga ana tjetër, Shqipëria krijoi dy raste të mira shënimi, por pa mundur të gjejë rrugën e rrjetës. Në përfundim të 45 minutave të para, rezultati mbeti i pandryshuar, 0-0.

Skuadra vendase kaloi në avantazh në minutën e 47-të, kur realizoi me një goditje nga qendra e zonës. Pavarësisht reagimit të portieres Rajmonda Spahiu, devijimi i saj nuk ishte i mjaftueshëm për të shmangur golin.

Vajzat kuqezi reaguan menjëherë dhe vazhduan të kërkonin golin e barazimit. Përpjekjet e tyre u shpërblyen në minutën e 70-të, kur Vanesa Levendi finalizoi me sukses një aksion të bukur, duke shfrytëzuar në maksimum asistin e Fortesa Berishës. Goli i Levendit riktheu ekuilibrat në takim dhe vulosi rezultatin përfundimtar 1-1, pavarësisht tentativave të mëvonshme nga të dyja skuadrat.

Kombëtarja e vajzave do të luajë ndeshjen e fundit të këtyre kualifikueseve të Kupës së Botës “Brazil 2027” ndaj Malit të Zi, më 9 qershor, në orën 19:00, në stadiumin “Loro Boriçi”. Takimi do të transmetohet drejtpërdrejt në FSHF TV.

Poll

Lexo gjithashtu