Vllaznia u shpall kampione e Shqipërisë për herë të 13-të në histori në këtë edicion 2025-26, pasi mposhti në finale Apoloninë me rezultatin 2-0. Dy golat e shënuar për pjesë nga Megi Doçi dhe Teresa Deda i mjaftuan shkodranëve që të “rrëmbenin” trofeun për të vazhduar kështu dominimin e tyre në kampionatin e vajzave.
Një faktor kyç i këtij dominimi është dhe ecuria rekord pa humbje, pasi vajzat shkodrane morën 15 fitore dhe u ndalën vetëm në një barazim, pikërisht ndaj fierakeve me të cilat u përballën në këtë finale të madhe.
Po ashtu, një tregues i “frikshëm” është dhe sasia e golave të realizuar. Shkodranet shënuan plot 124 të tillë në portat kundërshtare, teksa pranuan vetëm 3. Një statistikë që reflekton dukshëm pse kjo skuadër mban epitetin si më e mira e kampionatit.
Vlen të theksohet se me këtë sukses, Vllaznia do të marrë pjesë në “Champions Path”, ku do ta nisë nga raundi i dytë kualifikues.
