Dinamo ka barazuar me rezultatin 1-1 në ndeshjen e parë të turit të dytë kualifikues të Conference League, të zhvilluar në fushën e Aluminij. Pas kësaj sfide, trajner i Dinamos, Ilir Daja, ka analizuar paraqitjen e skuadrës së tij dhe vështirësitë me të cilat u përballën.
“E dinim që kishim një ndeshje të vështirë. Përballë kishim ekipin që në edicionin e kaluar ka fituar Kupën e Sllovenisë, ashtu siç edhe ne kemi fituar Kupën e Shqipërisë.
Ishte e vështirë, së dyti, edhe për faktin që tre lojtarë tanë nuk morën vizën dhe nuk ishin prezent sot. Nuk e di se cila ishte arsyeja, por ata janë lojtarë të Dinamos prej më shumë se një viti. E treta ishte që, me shtimin e reshjeve, u munduam të përshtateshim me terrenin. Por besoj që rezultati më i drejtë ishte ai që prodhoi loja, pra barazimi”, u shpreh trajneri Ilir Daja.
Ai e cilësoi ndeshjen e kthimit si të hapur, duke theksuar se Dinamo do të jetë pak më e favorizuar pasi luan në shtëpi, por parashikon një sfidë të vështirë ku kualifikimi do të vendoset nga episodet.
