Red Vogli, basketbollisti i Tiranës, lojtari më i mirë i shpallur për vitin 2015, i kontaktuar nga newsport.al ka folur për karrierën e tij, si e nisi, cili ishin ata që e mbështetën dhe synimet për të ardhmen. Redi ka edhe një premtim për tifozët e Tiranës. Ai do të jetë gjithmonë bardheblu pasi është lindur si i tillë. Vogli është pjesë e tifo-grupit të "Fanaticsave" dhe për këtë shprehet mjaft i lumtur.
- Si ju lindi dëshira për këtë sport dhe si e keni nisur?
Dëshira për të luajtur basket lindi në shkollën fillore, ku ishim nga të paktat shkolla në Tironë që kishte fushë të bukur basketbolli, pavarësisht se isha në futboll si shumica e fëmijëve nëpër lagjet me rrugica që luanim tetë orë futboll në ditë. Unë kisha shansin që profesorin e fiskulturës e kisha edhe trajner. Ai vetë më thoshte që kisha shumë të dhëna për basket. Një ditë kur shkova në shtëpi më thot babai që do të ikja të stërvitesha te Tirona se kishte folur me Pirro Kolekën, ish-legjendën e basketit të Tironës dhe Kombëtares, aktualisht shef i klubit Tirona.
- Kush ishin ata që ju mbështetën?
Gjithmonë më ka mbështetur familja sepse sporti në Shqipëri është sakrificë kushtet janë zero. Pagesat janë qesharake, kështu që e vetmja gjë e mirë është që të japin mbështetje dhe të ndihmojnë që të ndjekësh pasionin.
- Tashmë jeni pjesë e Tiranës prej disa vitesh, po te "Fanaticsat"?
Unë jam pjesë e Tironës dhe do vazhdoj të jem pjesë e saj deri kur të mos të kem fuqi më. E kam deklaru që nuk shkoj me asnjë ekip tjetër këtu në Shqipëri. Tironën e du me zemër dhe kur vesh fanellën bardheblu, më jep adrenalinë që s'ma jep asnjë gjë tjetër. Sa për fanaticsat dua të them që janë simboli i vetëm që ka Tirona, janë supertifozera që sundon kudo nëpër Shqipëri dhe për këtë unë i vlerësoj shumë dhe shumë prej tyre i kam dhe miq, kështu që edhe unë jam fanatics.
- Ç'synime ke për të ardhmen?
Synimet për të ardhmen janë që të vazhdoj të mbroj ngjyrat bardheblu dhe të arrij sa më shumë rezultate pozitive.
- Mund ta shohim Redin të luajë jashtë vendit?
Jashtë nuk besoj sepse jam shumë i lidhur me familjen dhe me shoqërinë, mundësinë e kam pas për të ikur kur isha 23 vjeç dhe tani që jam 29 vjeç nuk besoj. Vetëm po pata ndonjë ofertë që të më tundojë, por që është shumë e vështirë.
- Kampionati më i bukur i basketbollit në botë, NBA? Sa e ndiqni? Idhulli juaj?
Kampionati më i bukur në botë normal është NBA dhe idhulli për momentin është Lebron James, por kampionati më i fortë dhe që më tërheq më shumë është Euroliga e Basketbollit.
- Ndodheni në grumbullim me kombëtaren, si po ju shkojnë përgatitjet?
Grumbullimin me kombëtaren mezi e kam pritur, pas katër vitesh pushim sepse të jesh pjesë e kombëtares është privilegj, të mbrosh ngjyrat e flamurit shqiptar është diçka e veçantë dhe duhet shumë punë të arrish në 12-tshen përfundimtare sepse jemi 20 lojtarë të grumbulluar dhe shumica janë nga jashtë vendit. Dhe trajneri që ka ardhur është një nga më të mirët që kam punuar dhe po na mëson shumë gjëra të reja.
- Krahas basketit, e ndiqni futbollin?
Ndjek shumë futboll dhe veçanërisht kampionatin italian, ku jam tifoz i çmendur i Juventusit.
- Diçka për tifozët e Tiranës anembanë?
Për tifozët e Tironës, uroj që të jenë sa më mirë dhe i them brezit të ri të flasin sa më shumë për Tironën, t'i çojnë në stadiume e pallate sporti që t'i edukojnë me ngjyrat bardheblu, shpresoj që po në 12-tshen e kombëtares, besoj që tifozët e Tironës do të jenë në pallat të sportit për të më mbështetur mua, si lojtarin e tyre dhe Kombëtaren, sepse e kanë treguar shumë mirë, edhe kur ka luajtur kombëtarja.
[gallery columns="1" size="full" ids="22646,22647,22648,22649"]