
Stipe Miocic mbron titullin kampion bote në peshat e rënda, duke mundur me “KO” teknik rivalin Junior Dos Santos, fitore që kishte shijen e revanshit për amerikanin. Sfida e djeshme ishte e vlefshme për UFC-211, zhvilluar në Dallas, me Miocic që bëri ligjin në kafaz, duke e dominuar sfidën, të cilën e mbylli që në raundin e parë. “Kisha 10 javë që përgatitesha për këtë duel, për këtë fitore. Jam kampion dhe për këtë falënderoj skuadrën time”, tha Miocic pas fitores. Kjo ishte sfida kryesore e këtij eventi, e vleshme për titullin kampion.
“Tifozë të Dallasit jeni të shkëlqyeshëm, ju falënderoj për mbështetjen, e dua këtë qytet”, tha më tej Miocic nga kafazi, duke përshëndetur fansat pas fitores. Ndonëse pritej një sfidë më e fortë nuk ndodhi kështu, pasi Miocic pati epërsi që në sekondat e para, duke mos i dhënë asnjë shans rivalit brazilian që të fitojë. Humbja e 3 viteve më parë (me vendim unanim të gjyqtarëve), tashmë i përket së shkuarës, pasi amerikani tregoi se është me meritë kampion absolut i peshave të rënda në artet marciale mikse.