Vedat Muriqi është lojtari më i ri i skuadrës së Lazios. Sulmuesi i njohur shkëlqeu sezonin e fundit në Turqi dhe tashmë ka bërë hapin e madh në karrierë për të luajtur në një kampionat si Seria A. Potenti i fazës ofensive ka luajtur edhe në kampionatin shqiptar duke kontribuar për Teutën dhe Besën e Kavajës.
Ndërsa fillesat e tij i ka pasur me ekipin e Lirisë në Prizren. Asokohe Kosova s’ishte pjesë e FIFA-s dhe klubet nuk përfitonin 5 përqindëshin nga shitja e lojtarit, si skuadra amë që ka rritur lojtarin. Mirëpo tashmë Liria e Prizrenit pretendon 5 përqindëshin e shumës që Fenerbahçe ka përfituar nga shitja e 26-vjeçarit.
“Ne kemi dokumentin që e vërteton se Muriqi ka qenë futbollist i joni nga viti 2006-2012. Po ashtu ne kemi kontratën profesionale dhe kartonin e futbollistit që njihet si pasaportë e futbollistit. Kemi edhe vërtetime të tjera dhe kemi procesverballët e ndeshjeve kampionale në Kosovë ku ka luajtur Muriqi. Prandaj ne do ta marrim 5 për qind të shumës”, ka thënë për “Express” sekretari i klubit të Lirisë, Bashkim Kajdomçaj.
“Ne i kemi angazhuar edhe dy avokatë holandez dhe disa këshilltar që do të merren juridikisht dhe ligjërisht me këtë transferim. Por, jo vetëm me kaq, ne do të kërkojmë 5% të Muriqit në çdo transfer tjetër pasi që lojtari ka ndërruar disa skuadra edhe në të kaluarën”, ka thënë ai. Kësisoj shuma që pretendon Liria e Prizrenit është plot 900 mijë euro, shifër e konsiderueshme kjo për një klub të kampionatit të Kosovës.