
Trajneri i përfaqësueses kosovare, Albert Bunjaku, në një prononcim për gazetën “Koha Ditore” në Kosovë, ka lëshuar sinjalin se po pret vetëm konfirmimin e FIFA-s për të nisur ftesat ndaj futbollistëve me origjinë kosovare që luajnë për kombëtaret e tjera.
“Kemi vetëm 5 javë kohë për të plotësuar ekipin, ndaj po presim me padurim përgjigjen e FIFA-s. Kemi kontakte me disa futbollistë, por nuk mund të bëjmë gjë publikë apo të çojmë ftesa për aq kohë sa FIFA nuk e ka konfirmuar lirinë tonë për të afruar futbollistët që janë aktivizuar me kombëtaret e tjera”, tha Bunjaku.
Kosova do të luajë në grupin I kualifikues në eleminatoret e Rusi 2018 dhe do të jetë në grup me Kroacinë, Turqinë, Finlandën, Islandën dhe Ukrainën.