Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

KOSOVA

E BUJSHME/ Akuzat për SHITJE ndeshje ndaj Vedat Muriqit, REAGON edhe Federata: Kur kapiteni i kombëtares...

Shkruar nga NEWSPORT
E BUJSHME/ Akuzat për SHITJE ndeshje ndaj Vedat Muriqit, REAGON edhe
Ilustrim: FFK - Vedat Muriqi

Pas humbjes së Kosovës me shifrat 0-1 përballë Turqsë dhe eliminimit nga “play-off” i Botërorit 2026, sulmuesi i dardanëve Vedat Muriqi u sulmua ashpër. Sulmi erdhi në formën e akuzave nga një komentues në rrjetet sociale.

Sipas këtij të fundit, Muriqi kishte shitur ndeshjen ndaj përfaqësueses turke, teksa edhe vetë futbollisti iu kthye. Por së fundmi, është Federata e Futbollit të Kosovës që ka reaguar, duke i dalë në mbrojtje futbollistit me origjinë nga Prizreni.

FFK thekson se Vedat Muriqi ka dhënë në fushë gjithmonë më të mirën e tij. Ndër të tjera, Federata u bën thirrje tifozëve që të tregojnë mirënjohje për lojtarët, e sidomos për kapiten Muriqin.

REAGIMI:

Futbolli nuk është thjesht lojë. Ai është pasqyrë e identitetit, e përkushtimit dhe e vlerave që ne, si shoqëri, duam t’i promovojmë.

Kur kapiteni i Kombëtares, Vedat Muriqi, sulmohet me fyerje dhe gjuhë përçarëse, kjo nuk prek vetëm një lojtar por prek një simbol të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve që e ndjekin futbollin me krenari.

Vedati ka dhënë gjithmonë më të mirën e tij në fushë. Përkushtimi dhe angazhimi i tij nuk matet vetëm me golat e shënuar, por edhe me lidershipin, energjinë dhe shpirtin që vë në çdo përballje.

Ai është shembull i profesionalizmit, i pasionit dhe i unitetit që Kombëtarja e Kosovës përfaqëson. Golat e tij nuk janë thjesht pikë në tabelë, ato janë emocione që frymëzojnë popullin shqiptar dhe krijojnë krenari për vendin tonë.

Ofendimet dhe komentet fyese në rrjetet sociale nuk kanë vend në futboll dhe as në shoqërinë tonë. Nuk duhet të lejojmë që individë tillë, fatmirësisht të pakët, të shpërfaqin negativitet, përçarje dhe urrejtje.

Si institucione e shoqëri, por edhe si individë, duhet të reagojmë kur vihen në diskutim vlerat që na bashkojnë dhe përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Vedat Muriqi nuk është vetëm kapiteni i Kombëtares. Ai është njëri prej Dardanëve që po shkruan historinë e vendit tonë.

Mirënjohja për të dhe për të gjithë lojtarët tanë nuk është thjesht një detyrim moral, është një reflektim i vlerave që duam të kultivojmë si shoqëri: përkushtim, dinjitet dhe krenari.

Në fund të ditës, futbolli është më shumë se rezultatet. Ai është mënyra si tregojmë se kush jemi dhe se çfarë vlerash mbrojmë.

Dhe Vedati, me punën dhe shpirtin e tij, na kujton çdo ditë se si duhet të jemi si komb, të bashkuar, të guximshëm dhe krenar për çdo arritje.

I jemi mirënjohës tifozëve dhe qytetarëve që, edhe pas humbjes së mbrëmshme kundër Turqisë, qëndruan pranë ekipit, duartrokitën dhe mbështetën përkushtimin e jashtëzakonshëm të djemve tanë.

Poll

Lexo gjithashtu