Arjan Bellai ka folur pas humbjes 3-0 kundër Kastriotit, sfidë e vlefshme për javën e dhjetë të Superiores.
Trajneri i Bylisit ishte i mërzitur për pikët e lëna në këtë takim. 4 javë rresht, humbja e 4-tërt për mallakastriotët që duken se janë në krizë. Në fjalën e tij për Oversport, tekniku i ballshiotëve deklaroi:
“Sigurisht që pamë një skuadër tjetër. Çdo javë punojmë nga ana psikologjike. S’e di nëse ka ndikuar kjo situatë e krijuar ndaj nesh. Sot e merituam plotësisht humbjen. Unë flas drejtë. S’kemi treguar karakterin e duhur. Po punojmë me psikologjinë e futbollistëve, sepse shkojmë në ndeshje sikur e dijmë se çfarë do të na presë. Sot u deshën 7 minuta për VAR-in. E pashë dorën e Kaçorrit, me kaq hollësi sa e pashë, mund të shoh edhe një mbajtje të futbollistit të Krujës. Unë jam vetë profesor në futboll. E ka fare të qartë që lojtari i Krujës mban lojtarin tonë. Ankohemi gjithmonë, por s’e bëjmë kot. Sot e meritonim humbjen sepse s’ishim ai ekip që kemi qenë.
Largim? S’kam pse. Unë flas çdo ditë me presidentin. Lojtarët i kam të shkëlqyer. Fajin e kam unë për këtë humbje. Duhet të shikoj se kush është më i lodhuri. Edhe në këtë ndeshje u desh ndërhyrja e katërt që të jepet karton. Ne na ndodh e kundërta. Në minutën e parë na jepet direkt karton. Kjo nuk më pëlqen. Unë e thashë që nuk më pëlqeu as nxehmja e ekipit. I pashë, nuk e di. Deri dje ishin shkëlqyer. Duhet të marrin diçka përsipër edhe lojtarët. Për këtë humbje e kam unë plotësisht fajin, jo lojtarët”, përfundoi ai.