
Ngjarja tragjike e mbrëmjes së kaluar në Indonezi ka shokuar botën e futbollit. 17 njerëz raportohen të vdekur dhe 180 të tjerë janë lënduar si pasojë e rrëmujave. Kjo shënon një ndër tragjeditë më të mëdha të historisë së futbollit teksa numri i të vdekurve mund të rritet akoma. Për këtë ngjarje ka reaguar edhe presidenti i FIFA, Gianni Infantino.
“Bota e futbollit është në gjendje shoku pas ngjarjeve tragjike që ndodhën në Indonezi në fund të ndeshjes mes Arema FC dhe Persebaya Surabaya në stadiumin Kanjuruhan.
“Kjo është një ditë e zezë për të gjithë ata që janë të përfshirë në botën e futbollit dhe një tragjedi përtej perceptimit mendor. Unë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet dhe miqtë e viktimave që humbën jetën pas këtij incidenti tragjik.
“Së bashku me FIFA-n dhe komunitetin global të futbollit, të gjitha mendimet dhe lutjet tona janë me viktimat, ata që janë lënduar, së bashku me popullin e Republikës së Indonezisë, Konfederatën e Futbollit Aziatik, Shoqatën e Futbollit Indonezian dhe Ligën e Futbollit Indonezian, në këtë kohë të vështirë.”- deklaroi Infantino.