Ermal Krasniqi është përzgjedhur si lojtari më i mirë i javës në Superligën e Kosovës. Është klubi i Ballkanit që përmes një njoftimi në kanalin zyrtar bën me dije se futbollisti ka marrë çmimin “Ylli i Javës”.
Lojtari i skuadrës së Ilir Dajës është shprehur i lumtur për këtë vlerësim modest. Në lajmërimin e bërë në faqen zyrtare të klubit të Ballkanit thuhej:
“Ermal Krasniqi “Ylli i Javës”
Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall, vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës” pas çdo xhiroje në Albi Mall Superligë.
Çmimi i më të mirit për javën e 18-të i ka takuar futbollistit tanë , Ermal Krasniqi.
Çmimi “Ylli i Javës” për Krasniqin e ndau Mentor Boroci, zyrtar ligjor në Albi Mall.
E pas marrjes së këtij çmimi për herë të dytë në këtë edicion, Ermal Krasniqi , foli për faqen zyrtare të FFK-së.
“Si çdo herë është kënaqësi të zgjedhësh më i miri i javës. Ndjenjë e mirë që u riktheva prapë gjatë këtij edicioni për ta marrë këtë shpërblim. Jam i lumtur për sukseset e klubit dhe për faktin që arrij ta ndihmoj skuadrën nga ndeshja në ndeshje në arritjen e objektivave të saj.
Ballkani edhe në këtë edicion po tregon seriozitet dhe jemi në rrugën e duhur për ta mbrojtur titullin kampion. Falënderoj bashkëlojtarët, trajnerët dhe të gjithë stafin, pasi bashkërisht po bëjmë një punë të mrekullueshme”, ka theksuar Krasniqi”.