Fk Skapari festoi 60-vjetorin e krijimit si skuadër më 12 shtator 1959. Në fillimet e saj kjo skuadër u quajt "5 shtatori", por u cilësua si ekipi i intelektualëve pasi kishte në gjirin e saj shumë të tillë. Gjitashtu në atë kohë në Çorovodë kur luheshin ndeshjet e futbollit kishte një numër të lartë femrash, diçka e pazakontë për kohën tregon në një shkrim të gjatë presidenti Hysen Caka.
Syrja Çarçani, Koço Bixho, Enver Kahremani, Hektor Bregasi, Bardhyl Dardha, Muharrem Memollari, Zihni Hasanaj, Abaz Beqollari etj do të përbënin "komisionin nismëtar" të bërthamës së ekipit që po ngjizej. Fati do t'i dhuronte "5 Shtatorit" një "Emir", që do të bëhej protagonist i të gjitha zhvillimeve që të çonin në formimin e ekipit "lehonë"
Tradita nuk do të qëndronte këtu sepse edhe në vazhdim ekipi i "5 Shtatorit" do të kishte në dominancë futbollistët intelektualë. Plejada e P Kuçit, A. Ibro, N. Dingo, G. Sulçes, N Çarçanit, R. Idërshajit, Sh. Pëllumbit, V. Begës, A Bregut, A Qafokut, R. Ajdinit, F. Cërrit, M. Nanos, Sh. Hitos, K. Mjekrra, A. Tares, R. Zylyftarit etj., etj., do ta ruante me fanatizëm këtë nivel.
Ishte koha e "5 Shtatorit" që do ngjizej atë vjeshtë të 12 Shtatorit 1959, kur Emiri, Hektori, Koço, Bardhyli, Myslymi, Syrjai, Enver Kahremani, Gaqo Dume, Abazi, Zihniu etj etj intelektualë, por jo vetëm, do të gjenin gatishmërinë e drejtuesve të kohës H. Sevdarit, S. Satkës, M. Bregut etj., etj., që të zyrtarizonin themelimin e më të riut ekip futbolli me emrin e të çliruarit të parë të Luftës II Botërore, Skraparit, në atë ditë të "5 Shtatorit"
Tifozeria femërore ka qenë një nga risit specifike të "5 Shtatorit". Askund nuk mund të imagjinohet jo vetëm në atë kohë por edhe sot në kohët moderne që në ndonjë stadium të Tiranës, Shkodrës, Kavajës, Korçës etj., etj., të mundet të ketë prani të "organizuar" të tifozerisë së femrave sikur në Skrapar. Minimalisht mbi 500 tifoze femra kanë qenë mbështetëse të vëllezërve, fëmijëve, të afërme të tyre në ndeshjet që "5 Shtatori", luante në fushën e tij. Natyrisht ka pasur një "racizëm", sepse tribunat e femrave ishin të përcaktuara dhe të ndara, por kjo ua shtonte më tej pavarësinë këtyre nënave dhe motrave kaq të emancipuara.
Ndryshe nga çdo ofronte sistemi i ri, krejt ndryshe ndodhi pas viteve 1990, atëherë kur pritej që futbolli të integrohej në ligjet e ekonomisë së tregut dhe të bëhej më produktiv se kurrë ai shkoi drejt rrënimit, dhe pse jo drejt shuarjes në shumë qytete me traditë të hershme futbolli. Një politikë aspak inkurajuese e politikë-bërësve do ta dërrmonte futbollin jo vetëm në Skrapar por edhe më gjerë. Edhe "5 Shtatori" jonë i transformuar "padrejtësisht" në ekipi me emrin "Skrapari" nga vitet 1994 deri në 2006 do të përjetonte vitet më të errëta të historisë së saj, teksa do të ballafaqohej me mos ekzistencën e saj. Tashmë KF Skrapari militon në Kategorinë e Dytë.
Është gazetari Ilir Hoxha që me anë të një postimi në faqen e tij në Facebook tregon takimin me disa nga ish-futbollistët e asaj kohe. Një ndër ta edhe Mustafa Nano, që sot është gazetar dhe analist.
