Dita e djeshme është shoqëruar nga një numër i madh thashethemesh në kryeqytet, në sallonet e basteve aty ku kanë qenë të shumtë ata që kanë besuar dhe provuar. Fitorja e Flamurtarit në Gjirokastër shihej si e sigurtë nga fjalët e përhapura dhe përgjatë ditës kofiçenti i këtij takimi ka pësuar luhatje në kompani të ndryshme deri sa në fund e hoqën nga bastet.
Fitorja e Flamurtarit fillimisht kuotohej me kofiçentin 2.50 ndërkohë që më pas u hoq fare nga disa kompani. I njëjtë ishte diskutimi edhe për fitoren e Partizanit në Shkodër, për të cilën fjalët ishin përhapur prej fillimit të javës.
Fitorja e të kuqve kuotohej fillimisht me koefiçentin 1.75 ndërkohë që edhe ky takim, njësoj si ndeshja e luajtur në Gjirokastër, u përjashtua nga mundësia e kuotimit në skedina për shkak të numrit të lartë të personave që po luanin fitoren e të kuqve.
Megjithatë thashethemet jo vetëm që nuk duhen marrë parasysh por as nuk tregojnë një të vërtetë të mundshme. Flamurtari fitoi në ekstremin e takimit ndërsa Partizani barazoi në një ndeshje të cilën mund ta kishte fituar por dhe humbur.