
Kur Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë, tenisti i tërhequr Alexandr Dolgopolov ishte në Turqi, por kjo nuk e pengoi të merrte shpejt rrugën për në shtëpi, në Ukrainë, për t’iu bashkuar luftës.
Ish-numri 13 i botës u tërhoq nga sporti vitin e kaluar pas një karriere që u shtri në mbarë botën. Por ai u kthye në Ukrainë “sepse është shtëpia ime”, tha ai për CNN të premten. “Kam parë shumë sportistë, këngëtarë, të qëndrojnë këtu dhe të ndihmojnë, kështu që pse të mos jem këtu?”
Ndër radhët e atletëve ukrainas që luftojnë për të mbrojtur vendin e tyre janë kampionët e boksit Oleksandr Usyk dhe Vasiliy Lomachenko, dhe legjendat e boksit vëllezërit Klitschko – Wladimir dhe kryebashkiaku i Kievit Vitali. “Ka shumë njerëz normalë që qëndrojnë këtu, pleq, fëmijë,” shtoi Dolgopolov.
“Pra, unë jam këtu. Unë do të ndihmoj me atë që mundem. Nëse më duhet të luftoj, do të luftoj.” Ndërsa përgatitej për udhëtimin, Dolgopolov kishte dyshime nëse ishte gati të vriste apo të vdiste, tha ai. Por sapo Rusia filloi të synonte infrastrukturën civile, “ajo u bë “biznesi” i çdo ukrainasi,” tha ai. “Nuk mund të shikosh se si qëllojnë njerëzit e tu”.
Kjo ndjenjë ndihet fuqishëm në të gjithë Ukrainën, kjo është arsyeja pse Rusia po përballet me një rezistencë kaq të fortë, tha ai. “Ju duhet të kuptoni se pothuajse çdo njeri këtu është gati të marrë një armë dhe të luftojë. Si i luftoni njerëzit e tillë të motivuar?”