
Vendimi i Gjykatës Europiane të Drejtësisë për t’i dhënë të drejtë kërkesave të Superligës Europiane është komentuar gjerësisht. Fillimisht u duk si vendim që lejonte krijimin e një lige të tillë dhe hidhte poshtë UEFA-n dhe FIFA-n.
Më pas ekspertë të ndryshëm komentuan për vendimin e marrë, duke sqaruar se thuajse asgjë nuk ka ndryshuar për futbollin. Gjithçka është në kuadër të ndryshimeve që FIFA dhe UEFA kanë qenë duke bërë, në të mirë të futbollit.
Për mikrofonin e Top Channel ka folur Envi Incka, anëtar i komisionit juridikt të UEFA-s dhe Aldi Topçiu që është drejtor juridik i FSHF-së.
Fjala e Envi Inckës, në lidhje me idenë e Superligës dhe vendimin e marrë nga Gjykata Europiane e Drejtësisë.
Klubet kanë krijuar një shoqatë tregtare të ngjashme me NBA-në apo NFL-n në Amerikë që synonte të prodhonte një organizim tregtar sportiv të ngjashme me ligat europiane, ku mungonte merita sportive. Pra pjesëmarrja në këto Liga nuk bëhet në bazë të kriterit sportive, por bëhej në bazë të vendit që financiarisht zënë këto klube të mëdha europiane.
Parashikimi më i logjikshëm është që FIFA dhe UEFA do të dijë dhe do të arrijë ashtu sikurse kanë bërë deri më sot, sepse janë promoter të futbollit prej dekadash tashmë, ti përshtatin rregullat e tyre të brendshme në atë mënyrë që edhe të sigurohen që futbolli të prodhojë ato të mira financiare që do ta mbajnë në këmbë dhe të dashur dhe të përhapur për publikon, por njëkohësisht të jetë edhe brenda parametrave të kërkuar jurisprudenca e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian.
Thjesht do të bëhet një adaptim, kishim një palë këpucë që na vrisnin, do t’i rregullojmë pak që mos të na vrasin më. Kaq do të ndodhi nuk do të ndodhi asgjë e jashtëzakonshme“, tha Envi Incka.
Fjala e Aldi Topçiut, si drejtor juridik i FSHF-së që përjashton idenë se 1 klub shqiptar do të merrte pjesë në një ligë të tillë.
“E përjashtoj kategorikisht pjesëmarrjen e klubeve shqiptare në një organizatë paralele apo një kompeticion paralel me ato të organizuara nga UEFA. Tashmë këto gara janë historikisht të gdhendura kulturën futbollistike Shqiptare, Europiane dhe Botërore dhe kam bindjen që do të vazhdojnë të jenë të tilla edhe për vitet në vazhdim”, u shpreh Aldi Topçiu.