Shqipëria do të luajë një ndeshje shumë të rëndësishme në fazën “Play-Off” të Kupës së Botës. Më 26 mars do të përballen me Poloninë në transfertë, ku fitorja është shumë “jetike” për kuqeZinjtë.
E kur jemi 4 muaj larg kësaj përballjeje, Federata Polake e Futbollit ka vendosur për stadiumin ku do të presë ekipin e Sylvinhos. Kështu kjo sfidë do të zhvillohet në “Narodwy” të Varshavës.
Një stadium i cili ka një kapacitet prej 59 mijë vendesh dhe për rëndësinë që ka kjo sfidë pritet të jetë i mbushur “full”. Ndërkohë sipas rregullores së UEFA-s për tifozerinë shqiptare është rezervuar 5% e kapacitetit dhe priten afro 3 mijë tifozë.
Kjo gjysmëfinale është shumë e rëndësishme, pasi fitorja do të çonte në finalen e “Play-Off” Shqipërinë dhe ku kuqezinjtë do të shkonin gjithmonë e më afër Kupës së Botës 2026.
