
Ekzaktësisht një javë më pas, Kombëtarja shqiptare do të rikthehet në fushën e lojës. Të besuarit e Sylvinhos do të udhëtojnë drejt Leskovacit për t’u përballur me Serbinë në kualifikueset e Kupës së Botës.
Një sfidë si kjo është tepër e rëndësishme për rrugëtimin e Shqipërisë në “ëndrrën” e Botërorit. Në prag të këtij takimi, Serbia është më favorite se kuqezinjtë jo vetëm për faktin se luan në shtëpi, por edhe me vlerën e lojtarëve në treg.
Sipas “Transfermarkt”, të gjithë lojtarët e kombëtares serbe përbëjnë një vlerë prej 232 milionë eurosh. Nga ana tjetër, kombëtarja shqiptare vlen 91 milionë euro, pra 141 milionë euro më pak se serbët.
Lojtarët me vlerën më të lartë tek këta të fundit janë Nikola Milenkovic dhe Dusan Vlahovic që vlejnë 35 milionë euro. Ndërsa tek Shqipëria më i shtrenjti është Kristjan Asllani me 13 milionë euro, më poshtë ndodhet Broja me 12 milionë euro.