
Kombëtarja shqiptare po bëhet gati për ndeshjen e parë të Europianit “Gjermani 2024”. Kuqezinjtë e Sylvinhos do të përballen me Italinë më 15 qershor. Pak ditë para kësaj sfide ka folur edhe Ylber Ramadani. Titullari absolut i formacionit të Sylvinhos shprehet se e njohin kundërshtarin pasi ka lojtarët që aktivizohet në kampionatin italian.
“E dimë që kemi mbështetjen e shumë shqiptarëve dhe na kjo na bën të ndjehemi krenarë. Do të futemi në fushë për të bërë maksimumin, duam të marrim një rezultat pozitiv. Sylvinho, ka bërë një grup të shkëlqyer, të bashkuar dhe ne bëjmë atë që na kërkon.
Zhvilluam kualifikuese të jashtëzakonshme, shpresojmë që edhe në grup të bëjmë mirë. Ne e njohim mirë Italinë, kemi 10 lojtarë që luajnë në Serie A. Do të bëjmë gjithçka për të marrë rezultat”, u shpreh fillimisht mesfushori kuqezi.
Më tej, Ylber Ramadani foli edhe për të ardhmen e tij. Por, u ndal edhe te e ardhmja e sulmuesit të Chelsea-t, Armando Brojës. Për këtë të fundit, Ramadani thotë se mund të luajë në çdo ekip të botës pasi ka potencial.
“Më mirë të mos flas për të ardhmen, pasi përndryshe më merr në telefon drejtori sportiv i Leçes. Jemi të përqëndruar në Europian dhe të shohim çfarë do të ndodhë më pas.
Broja? As ne nuk e dimë të ardhmen e tij, e përsëris jemi të përqëndruar të Europiani. Ai mund të luaj kudo, në çdo skuadër të botës sepse ka një potencial të jashtëzakonshëm”, tha më tej Ramadani.