
Alban Bushi ka dalë në konferencën për shtyp pas shpalljes së listës. Timonieri i Shpresave ka zgjedhur lojtarët që do të ketë të gatshëm për dy sfidat kualifikuese me Malin e Zi dhe për miqësoren me Litenshtejnin.
Bushi shprehet i kënaqur me lojtarët që ka në dispozicion, ndërsa shprehet mjaft i lumtur dhe krenar që Beërisha dhe Simoni janë ftuar nga Sylvinho. Ndër të tjera ai deklaroi se Sina është shqiptar dhe ka vendosur të përfaqësojë vendin e tij.
“Berisha dhe Simoni te Kombëtarja A? Jam i kënaqur për lojtarët që kam në dispozicion. Kam pasur bindjen që Berisha do të shkonte në ekipin A, por ndodhi më herët seç e prisnim. Ai ka qenë lojtar shumë deçisiv në ekipin tim. Mbaj mend që ishte pjesë e Kosovës dhe i premtova shiritin e kapitenit që të vinte te ne. Ia premtova sepse shihja që kishte potencial dhe se ishte një lider dhe e meritoi plotësisht atë shirit. Shpresoj që Berisha të kthehet me ne për ndeshjen ndaj Malit të Zi.
Si e binde Sinën të zgjidhte Shqipërinë dhe jo Greqinë? U bind sepse në radhë të parë është shqiptar dhe ndaj erdhi. Ai nuk do të luajë në ndeshjen e parë, atë ndaj Malit të Zi, pasi na lejohet të kemi vetëm ata lojtarë që kishin në fushë para se takimi të ndërpritej. Në atë ndeshje do kemi vetëm, 12 lojtarë në dispozicion, duke qenë se Berisha e Simoni mungojnë Megjithatë ai do të luajë në ndeshjen tjetër, pasi ai e ka treguar se është një lojtar i madh.
Alternativat për të bindur Grudën, Hasën dhe Vatën, a i keni kontaktuar? Ne bëjmë punën tonë, po të shohim lojtarët që Kombëtarja A ka, të gjithë kanë ardhur nga skuadrat e grupmoshave të Shqipërisë. Këta që përmende ti patjetër që janë kontaktuar, FSHF-ja i kontakton të gjithë lojtarët shqiptarë, pastaj është zgjedhja e tyre nëse duan të luajnë për Shqipërinë apo jo. Lojtarët duhet ta tregojnë veten njëherë te ekipi U-21 pastaj te Kombëtarja kryesore, pasi vetëm ndonjë talent i rrallë mund të merret direkt nga skuadra e parë e Shqipërisë, lojtarët shumë të mirë duhet të luajnë njëherë për U-21”, ka përfunduar timonieri i Shpresave.