Keidi Bare u kthye në çështje te Real Zaragoza, pas incidentit të shëmtuar që u regjistrua mes tij dhe trajnerit, situatë që përfshiu po ashtu edhe tifozët.
Mesfushori shqiptar shprehu indinjimin e tij lidhur me një zëvendësim që s’e priste, duke u kapur me trajnerin e skuadrës, David Navarron. Megjithatë “zemërimi” kaloi shpejt dhe Bare bëri një kthesë të rëndësishme duke kërkuar ndjesë para tij dhe shokëve të skuadrës.
Vetë Navarro, i pyetur për situatën e tanishme pas asaj skene të shëmtuar ka zgjedhur që t’i përgjigjet njëherë e mirë “aludimeve” për klimën brenda skuadrës, duke sqaruar se ky precedent i përket së shkuarës.
“Nuk e kemi diskutuar si çështje. Është pjesë e lojës dhe ka ardhur plotësisht natyrshëm. Unë duhet të marrë vendime dhe këtë e mora brenda sferës së mundësisë. Ekipi kupton se kjo është bërë duke i dhënë prioritet të mirës së ekipit, edhe nëse ka përparësi mbi interesa individuale”, ka shuar dyshimet e fundit trajneri i Zaragozës.
