
Jurgen Çelhaka u transferua te Legia Varshavës nga Tirana në verën e vitit 2021 për shumën e 250 mijë eurove. Dy sezonet e para të vështira mes stolit, madje edhe zbritjen tek ekipi U21, bënë të dukej se ky transferim do të ishte një dështim.
Por, si klubi polak, ashtu edhe mesfushori shqiptar, e kishin të qartë planin për njëri-tjetrin. Shembullin më konkret e kishin para syve: Ernest Muçi, i cili gjithashtu e nisi mes stoli për t’u kthyer më pas në idhullin e tifozërisë.
Kokëulur, ashtu siç ishte edhe te Tirana, Çelhaka vijoi të punonte në stërvitje dhe besimin e klubit po e shpërblen këtë sezon. Plot 25 ndeshje për të mes kampionatit dhe Conference League duke fituar gjithnjë e më shumë kuota në formacionin titullar të Legias, 15 herë ka nisur nga minuta e parë.
Performancat në rritje gëzojnë jo vetëm lojtarin dhe Legian, por edhe stafin teknik të Kombëtares shqiptare të cilët mund të shohin një zëvëndësues potencial të Klaus Gjasulës në Kombëtare. Çelhaka ka qenë kapiten i U21, ndërsa ka gjithsej 19 ndeshje me kuqezinjtë e moshave.