Pas dëmtimit te Shqipëria, sulmuesi Ernest Muçi sot u rikthyer për herë të parë në ndeshje zyrtare te Trabzonspor, pas ndeshjeve të marsit me kombëtaren.
Ai i shkoi shumë pranë golit spektakolar nga goditja e dënimit në minutën e 92-të kundër Samsunspor, ndërsa në ekzekutimin e “ruletës ruse”, ish-sulmuesi i Tiranës shënoi penalltinë finale me plotë klas.
Me përfundimin e sfidës dhe sigurimin e gjysmëfinales në Kupën e Turqisë, Ernest Muçi foli për mediat, duke treguar edhe momentin e vështirë nga problemet fizike:
“E dinim që do të ishte një ndeshje shumë e vështirë. Çdo sfidë është e vështirë në këtë fazë dhe luajtëm kundër një skuadre të mirë. Nuk është e lehtë të luash këtu, por jam shumë i lumtur për ekipin.
Ishte shumë e rëndësishme. Jemi në gjysmëfinale. Duam të fitojmë gjysmëfinalet dhe të shkojmë në finale. Dëmtimi? Pata një dëmtim. Nuk mundja as të ecja për një ose dy javë dhe ishte e vështirë për mua, por po ndihem më mirë ditë pas dite. Koha ime e lojës po rritet gradualisht. Dua ta ndihmoj më shumë ekipin duke fituar minuta më rikuperimin e plotë”.
