
Armand Duka ka reaguar me një postim në faqen e tij zyrtare pas barazimit dramatik të Shqipërisë përballë Kroacisë. Kreu i FSHF shprehet i lumtur e krenar për djemtë kuqezi si dhe u bën thirrje për të dhënë maksimumin në sfidën e fundit ndaj Spanjës.
“Kjo skuadër na bën çdo ditë e më shumë krenarë! Sot ndaj Kroacisë kemi zhvilluar një lojë shumë të mirë dhe meritonim shumë më shumë se një pikë. I kishim mundësitë dhe mund ta kishim mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë. Nuk e bëmë dot, e pamë veten në disavantazh dhe sërish djemtë treguan karakter dhe ia dolën të barazojnë.
Dëshira ishte e madhe të fitonim, por ky është futbolli dhe na duhet të pranojmë rezultatin. Tani le të mendojmë për Spanjën me pozitivet, të futemi në fushë të japim më të mirën. Kam shumë besim tek ekipi, siç duhet të kenë gjithë shqiptarët.
Nuk mund të lë pa përmendur tifozët, të cilëve u jemi mirënjohës pafund për mbështetjen që po i japin Kombëtares në EURO2024. ForcaShqiperi”, shkruan Duka.