Mëngjesin e kësaj të mërkure, u bë e ditur vendimi i Luis Hasës për të luajtur për Shqipërinë, teksa të nesërmen pritet që të shpallet lista e trajnerit të Kombëtares, Rolando Maran, ku një ftesë do të ketë edhe mesfushori 22-vjeçar për dy ndeshjet miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut.
Në një intervistë të gjatë të dhënë ditë më parë për fanpage.it, Hasa është ndalur gjithashtu edhe tek ideja e të veshurit fanellën kuqezi.
“Kam kaluar momente të bukura në Itali dhe nuk ka qenë një vendim i lehtë, por ndjej se ishte i duhuri për mua dhe zhvillimin e karrierës sime. Dhe përtej kësaj, unë jam lindur dhe rritur në Itali, por gjaku i shqiptarit vlon në venat e mia.
Edhe pse duhet thënë që babai i ka qenë për mbi 30 vite në Itali, ndërsa nëna ime mbi 20, rrënjët me atdheun nuk janë prekur. Ndaj, edhe të më shohin të luaj për Shqipërinë është një ëndërr e bërë realitet për ta. Jam i sigurt se nëse ndodh, babai do shkrihej në lot gjithashtu”, ka deklaruar mesfushori shqiptar.
Kujtojmë se FSHF ka njoftuar se në orën 11:00 të ditës së nesërme do të mbajë dhe konferencën për shtyp, aty ku Maran do të shpjegojë dhe zgjedhjet e bëra.

