Pas mbylljes së bashkëpunimit me Kombëtaren, Sylvinho ka vendosur të bëjë një pauzë të përkohshme nga pozita e trajnerit. Së fundmi, braziliani është prononcuar për “Karar” në Turqi, ndërsa ka habitur jo pak me fjalët lavdëruese në adresim të sulmuesit të Shqipërisë, Ernest Muçit.
“Muçi është një lojtar shumë i mirë me aftësi të larta teknike. Ai gjithashtu ka një kapacitet të madh për të shënuar gola. Po zhvillohet shumë dhe padyshim që ka më shumë hapësirë për t‘u rritur. Kjo është shumë e rëndësishme për një lojtar.
Kishte shumë konkurrencë për atë pozicion në ekipin Kombëtar, por ne ishim të sigurt se ai nuk ishte vetëm një futbollist shumë i mirë, por edhe një njeri shumë i mirë. Ishte gjithmonë një nga lojtarët tanë më të rëndësishëm.
Muçi mund të luajë në Premier League dhe nëse kjo ndodh, kjo do ta ndihmonte shumë karrierën e tij të rritej. Siç tha trajneri i Trabzonspor, edhe unë mendoj se Muçi është një lojtar i nivelit të Premier League.
Besoj se ai do të arrijë nivele edhe më të larta në karrierën e tij”, prononcimi i Sylvinhos. Interesante është se gjatë kohës kur drejtonte Kombëtaren, 52-vjeçari u bë “hasëm” me tifozët për shkak të lënies në plan të dytë të bomberit kuqezi, i cili bën pjesë te Trabzonspor në Superligën turke.
