Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

LEGJIONARËT

INTERVISTË/ “Mund të fitojmë 1-0”, Ansi Agolli rikthehet 11 vite pas: Ndjej krenari pas sfidës në Beograd, ja çfarë do t’iu këshilloja futbollistëve

Shkruar nga Floridona Ademaj
INTERVISTË/ “Mund të fitojmë 1-0”, Ansi Agolli
Ansi Agolli/ Fotomontazh

Ansi Agolli është rikthyer të flasë për një nga duelet më të rëndësishme të Kombëtares shqiptare. Ish-kapiteni i cili ka përjetuar “tmerrin” e duelit Serbi – Shqipëri në 2014 ka analizuar këtë takim.

Në një INTERVISTË për “NEWSPORT.Al”, ish-mbrojtësi ka theksuar se presioni më i madh në këtë takim është te kundërshtarët, pasi luajnë në fushën e tyre. Nga ana tjetër për kuqezinjtë shprehet se duhet të respektojnë detyrat që jep trajneri dhe të fokusohen vetëm te fusha e lojës.
Agolli shprehet i bindur se Kombëtarja jonë i ka të gjitha shanset të marrë një rezultat pozitive, ndërsa nënvizon se llogaritë për “Play-Off” mund të bëhen pas kësaj sfide.

“Serbi – Shqipëri, çfarë iu kujton kjo përballje? Serbi – Shqipëri duke u bazuar në futboll, flasim për një skuadër serbe që është shumë e mirë. Historikisht ka nxjerrë lojtarë të mirë, trajner dhe që është shumë e respektuar në futbollin europian. Ndërkohë do të sfidohen me një skuadër shqiptare që është në rritje gjithmonë. Pastaj gjërat e tjera nuk do të doja t’i përmendja në sport. Është një ekstra mundësi për të dhënë më shumë në fushë, për të përgatitur ndeshjen më mirë. Do të jetë ai motivim kur bëhet fjalë për këto dy skuadra.

Si një ish dhe protagonist në 2014, çfarë ndjen aktualisht kur e mendon? Kanë kaluar disa vite nga ajo përballje. Normalisht që ndjej krenari, sidomos ndeshjen në Beograd. Në ato 45 minutat e para që luajtëm, besoj treguam një nivel të mirë, mund edhe të kishim shënuar në ato minuta, shanset i kishim. Nga ana tjetër ndjej keqardhje pse ndodhi ashtu. Tani janë kushte të tjera dhe kjo sfidë luhet në rrethana të tjera.

Kanë kaluar 11 vite nga ajo ndeshje, a mendoni se do të ndikojë te performanca e skuarës, pavarësisht se lojtarët aktualë nuk kanë luajtur në atë sfidë? Kanë kaluar 11 vite dhe është diçka ndryshe. Atëherë ishte hera e parë që luanim kundër Serbisë dhe shumë gjëra ishin të fryera në atë ndeshje. Tashmë 11 vite më pas është më ndryshe. Ne e kemi treguar se është më ndryshe me kulturën tonë, ku ndeshja u luajt brenda kufijve. Tani është radha e Serbisë ta tregojë diçka të tillë. Është një ndeshje delikate si për Serbinë edhe për ne.  Mendoj se presioni më i madh në këtë rast është i skuadrës serbe se luajnë në fushën e tyre. Shpresoj që kjo të jetë në avantazhin tonë që futbollistët ta shfrytësojnë dhe të marrim rezultat pozitiv.

Jo në Beograd, por në Leskovac, sa mendoni se do ndikojë ndryshime i stadiumit? Deri diku thonë që fusha është njësoj për të dyja ekipet. Le të themi se kur luajtëm ne kishte një turmë ekstremiste që kishte pushtuar stadiumin. Ndikon dhe të jep trysni. Kjo do të jetë pak më ndryshe. Por ajo që do e tregojë do të jetë fusha e blertë, ajo i nxjerr të gjitha. Mendoj që është pak më mirë për ekipin tonë që të luajë në një ambient sportiv. Në këtë aspekt mendoj se është më mirë dhe fokusohesh vetëm te futbolli.

Çfarë do t’i këshilloje Sylvinhos që të ketë parasysh në këtë sfidë? Këto ndeshje…  u sprovuam me Serbinë dhe mendoj se ne kaluam një provë të mirë. Për mendimin tim mund edhe të kishim fituar me atë rezultat. Më e rëndësishme për trajnerin është të ruajë dhe ta menaxhojë balancën te skuadra. Të mos ndryshojë dhe të përgatitet sfida siç bëri në ndeshjen e parë. Fusha do nxjerrë konkluzionet, por aspekti psikologjik është shumë i rëndëishëm që të përgatitë një ndeshje futbolli, jo diçka tjetër. Përgatitja psikologjike është shumë e rëndësishme në këtë ndeshje.

Sa del ndeshja dhe kush shënon? Kam ndjenja pozitive për këtë sfidë. Është e arritshme edhe një fitore, edhe me rezultat të ngushtë 1-0 nuk ka problem. E rëndësishme është që të shkojmë atje të bindur dhe besimin se me lojtarët dhe grupin për të marrë rezultat pozitive. Dhe jo për të pritur se çfarë bën Serbia dhe çfarë do të shpalosi Serbia në fushë. Është i arritshëm edhe një rezultat minimal.

Mendoni se mund të arrijmë të kualifikohemi në Botëror? Sa shanse sipas jush ka ekipi ynë? Shiko.., këtë nuk mund ta themi nëse do të kualifikohemi apo jo. Ka ndeshje të tjera dhe çdo gjë mnd të ndryshojë nga ndeshja në ndeshje. Të fokusohemi te Serbia dhe pas kësaj mund të flasim. Pas Serbisë nuk mbeten shumë ndeshje, ngelin edhe 2 sfida dhe atëherë mund të bëjmë llogari. Nuk dua ta karikoj shumë situatën dhe të them se është një ndeshje kyçe në grup, por le të themi pas kësaj sfide do të ketë një panoramë më të qartë dhe ecuria e ekipit. Për kualifikim nuk mund të flasim se Anglia ka pikët e plota, por për të arritur “Play-Off”, kjo sfidë është shumë e rëndësishme.

Çfarë do t’u thoje futbollistëve që do të luajnë ndaj Serbisë para ndeshjes për t’i motivuar? Në këto ndeshje nuk ka nevojë që t’u thuash diçka futbollistëve për t’i motivuar. Është shumë e rëndësishme java që përgatitet kjo sfidë, aspekti psikologjik. Duhet të përqendrohen te ato që thotë trajneri për të bërë siç duhet atë që iu takon. Kryesorja të fokusohen te detyrat e trajnerit dhe tek ato detaje që vlejnë në fushën e blertë. Të tilla ndeshje nuk kanë nevojë për fjalë të tepërta”.

Poll

Lexo gjithashtu