Shumë zhurmë, por asgjë në dritën e së vërtetës. Ernest Muçi po “kryqëzon” gishtat për të ardhmen e tij, pasi Trabzonspor ende s’ka hedhur një hap konkret nëse ekziston dëshira për ta blerë sulmuesin shqiptar në përfundim të këtij sezoni.
Kuzey Ekspres shkruan se klubi turk ka mundësinë ta aktivizojë të drejtën e blerjes për 8.5 milionë euro nga Besiktas, që ka hequr dorë nga shërbimet e tij.
Sakaq, një “luftë” e brendshme ka lindur në Trabzsonspor pasi drejtuesit gëzojnë mendime të ndryshme dhe ende nuk ka një pistë të qartë se ku do të drejtohen për të vendosur “pikat mbi i” për lojtarin kuqezi, i cili kërkon po ashtu një informacion paraprak se çfarë mund të bëjë me të ardhmen.
Vendimi, thotë media turke, do të finalizohet shumë shpejt, përpara datës 10 maj, kohë kur përfundon dhe cikli i huazimit të Muçit.
25-vjeçari i është rikthyer aktivitetit në fushën e lojës, duke marrë minuta në këmbë në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Turqisë, ku shënoi dhe golin e kalimit në gjysmëfinale, si dhe u përfshi në formacionin titullar të trajnerit Fatih Tekke për ndeshjen e fundit që u luajt në kampionat përballë Konyaspor.
