Përballjet me Çekinë dhe Ukrainën do të jenë si “jetë a vdekje” për ekipin tonë kombëtar që do të provojë gjithçka për gjithçka. Megjithatë për trajnerin Sylvinho duket se do të ketë shumë punë për shkak të mungesave të mundshme.
Sulmi duket aktualisht reparti më delikat ku nuk dihet ende nëse braziliani do t’i ketë të gatshëm lojtarët e përhershëm. Mirlind Daku u ndëshkua me dy kartonë të verdhë dhe rrjedhimisht mungon në sfidën e parë. Por, a do të grumbullohet që të jetë gati për të dytën?
Ndoshta faktorët mund të detyrojnë brazilianin t’i thotë “Eja”. Megjithatë deri në nëntor duhet pritur. Armando Broja me gjasë nuk do të jetë, ende s’ka nisur stërvitjen me Evertonin.
Shumë dhimbje koke për Sylvinhon që duhet të presë muajin e ardhshëm për të vendosur “pykat” e fazës ofensive, sigurisht duke shpresuar se të gjithë të tjerët të jenë në “top formë”, veçanërisht me kapiten Gjimshitin të rikthyer apo Manaj dhe Uzunin që po shënojnë gola vendimtarë me ekipet e tyre.