Ish-qendërmbrojtësi Rrahman Hallaçi, i cili bëri “bujë” me Kukësin para disa vitesh, duke fituar Superioren, Kupën dhe Superkuën e Shqipërisë, ka qenë i ftuar në emisionin “Studio Sport” në Vizion Plus. Hallaçi është ndalur te mesfushori i Kombëtares Kristjan Asllani, madje duke e vendosur në “presion” 23-vjeçarin pas kalimit te Besiktas, përmes “formulës” së huazimit:
“Asllani bëri lëvizje nga një skuadër e rëndësishme në Itali (Inter), te një ekip po themi më i vogël siç është Torino, ku nuk arriti të bëhet i rëndësishëm. Pra që skuadra ta mbaj.
Ndoshta mund të ketë pasur diçka në lidhje me kontratën. Pak a shumë është si rasti i Brojës. Edhe Armando fillimisht zgjodhi ekipe të mira. Asllani do ketë edhe një provë të madhe te Besiktas, pasi vjen si ish-lojtari i Interit.
Nëse nuk bëhet i rëndësishëm te gjigandët e Stambollit, më pas do e shikojmë ndryshe. Shpresojmë t’i marr për mbarë te Besiktas”.
Edhe pse Hallaçi ishte pikë kyçe te Kukësi i “artë” në ato vite, arritja e tij më e madhe te Kombëtarja ishte si pjesë e U-21 (11 paraqitje), duke mos u ngjitur dot më tej.
