Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

LAJME

Shqipëri – Serbi në “Arenën Kombëtare”? Armand Duka: Nuk është vendosur ende. Incidenti me Tërnocin? E pafalshme

Shkruar nga NEWSPORT
Shqipëri – Serbi në “Arenën Kombëtare”?
Armand Duka

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuar në emisionin sportiv “Favorit” në televizionin “T7”, ku foli për një sërë temash të rëndësishme që lidhen me futbollin në Shqipëri dhe Kosovë.

Në intervistën e tij, Presidenti Duka komentoi zhvillimet në Kongresin e fundit të UEFA-s që u mbajt në Serbi, duke theksuar rëndësinë historike të vendosjes për herë të parë të flamurit të Kosovës në Beograd. Ai i ftoi të gjithë ta shohin këtë si një hap pozitiv, që u mundësua falë futbollit.

Ndër të tjera, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar foli edhe për kalimin e Etnik Brrutit te Kombëtarja shqiptare, marrëdhëniet e mira mes FSHF-së dhe FFK-së, si edhe për ndeshjet kualifikuese dhe shanset për Botërorin 2026 të Shqipërisë dhe Kosovës.

Presidenti Duka komentoi gjithashtu incidentin me klubin e Tërnocit, vendosjen e këngës “Mora Fjalë” në stadium, situatën aktuale të infrastrukturës sportive, si dhe planet për ndërtimin e stadiumeve të reja në Shqipëri.

Më poshtë, intervista e plotë e Presidentit Duka për emisionin “Favorit”:

Kongresi i UEFA-s? – Kjo është vërtet një çështje sensitive dhe unë do të mundohem që t’ju informoj dhe të jap opinionin tim për këtë çështje. T’ju informoj për atë çfarë ka ndodhur që në kongresin e UEFA-s në Beograd, ku mori pjesë delegacioni shqiptar, delegacioni i Federatës së Kosovës dhe i gjithë federatave të tjera. Çdo gjë ka qenë normale dhe kur kemi hyrë në hollin e kongresit një natë para, ku bëhet një pritje zyrtare me rastin e Kongresit, kanë qenë të gjithë flamujt e të gjitha vendeve pjesëmarrëse, përfshirë edhe flamurin e Kosovës.

Në atë moment, kur ne kemi qenë bashkë, delegacioni shqiptar dhe ai i Federatës së Kosovës, kryesuar nga Agim Ademi, kemi bërë një video të të gjithë flamujve, shqiptar e kosovar dhe është publikuar nga ne.

Pastaj çdo gjë ka qenë normale, një darkë zyrtare dhe të nesërmen kongresi, përsëri ka qenë normale, ku flamuri dhe të gjitha simbolet e të gjitha shteteve kanë qenë në tavolinat e pjesëmarrësve në kongres. Kjo ishte në një lloj mënyre informacioni.

Pastaj, menaxhimi i asaj situate mbase nuk ka qenë në mënyrë strategjike më i miri, sepse ne e publikuam atë video. E publikuam jo për të provokuar njeri në Serbi, jo për t’u treguar triumfatorë, por për ta sjellë si një shembull zhvillimi, që askush të mos mendojë se flamujt e vendeve vendosen pa miratimin e autoriteteve serbe. Kjo ishte një hap pozitiv, që de facto autoritetet serbe pranojnë flamurin e Kosovës në territorin e tyre dhe në një aktivitet zyrtar ndërkombëtar.

Kjo më shumë është për t’u përshëndetur, sepse ishte një zhvillim pozitiv. Mendohet dhe është mirë nëse Kosova ka sa më shumë njohje, dhe njohja nga Serbia është një zhvillim akoma më pozitiv.

Pastaj, pasi ne kemi publikuar videon, ka pasur një lloj acarimi nga qarqe që ne nuk i kemi parë në fakt, sepse kemi qenë brenda në hotel apo në sallën e kongresit, por kam parë në video të nesërmen që grupe kanë djegur flamurin e Kosovës. Nuk e di nëse ka qenë në afërsi të hotelit, apo le të themi grupe ekstremistësh, jo më shumë se 4-5 vetë me çfarë kam parë në video, kanë djegur flamurin e Kosovës në afërsi të hotelit apo diku tjetër, nuk e di.

Nga pikëpamja e protokollit, për ata ka qenë e përgatitur çdo gjë mirë dhe unë e kam parë si zhvillim pozitiv. E kam parë kështu, siç ta thashë; që flamuri i Kosovës, për herë të parë, vendoset në Beograd, dhe vërtet ka qenë një kënaqësi tjetër për mua duke qenë pjesë e futbollit, pjesë e UEFA-s, pjesë e federatave qoftë e Shqipërisë edhe e Kosovës që këtë gjë e ka bërë futbolli. Ky ka qenë qëllimi i publikimit, pa dashur për të acaruar dikë.

Ngjarja me flamurin? – Mua më vjen mirë po ta kishim komentuar të gjithë kështu, si një zhvillim pozitiv dhe mos të kapemi me gjëra për ta bërë zhvillim negativ. Unë mendoj që na shërben, thashë misioni ynë kryesor është futbolli. Futbolli është kaq shumë i rëndësishëm, është kaq shumë i madh, saqë ka impakt edhe në zhvillimet shoqërore, apo qoftë edhe ato politike. Kur këto janë pozitive, unë mendoj që duhet t’i komentojmë pozitivisht.

Unë kur kam hyrë në kongres, flamuri i Kosovës ka qenë në tavolinë, jam ulur në podiumin e kongresit dhe pastaj nuk e kam parë momentin se kur është hequr apo kur nuk është hequr, le të themi flamuri në peçikllaz. Siç të thashë, kam parë flamurin kombëtar të Kosovës në hyrje të sallës së kongresit dhe e kemi filmuar atë.

UEFA ka respektuar protokollet dhe e ka detyrim, sepse nuk po bën ndonjë privilegj për Kosovën, por e ka detyrim që të respektojë të gjithë anëtarët në mënyrë të barabartë. UEFA është ajo që faktikisht e ka mbështetur futbollin e Kosovës, e ka pranuar me votimin e anëtarëve të saj, apo një pjesë të mirë të anëtarëve të saj me lobimin e përbashkët tonin, dhe ka qenë një zhvillim pozitiv pranimi i Federatës së Kosovës në UEFA, për zhvillimin e futbollit, por edhe për ndikimin që mund të ketë ai në njohjen e mëtejshme të Kosovës. Kështu që ka respektuar protokollet e saj.

Nuk ka pasur asnjë lloj beteje, sepse kongresi ka filluar me flamurin në vend. Padyshim që ka pasur një lloj acarimi të ekstremistëve, mbase jashtë sallës së hotelit, më shumë këto i kam parë në media dhe rrjete sociale, nuk është se kam parë ndonjë gjë aty në reagimet e tyre. Ka pasur një lloj shqetësimi, qoftë të Federatës Serbe apo të autoriteteve, sepse janë ndjerë në një lloj mënyre mbase të kërcënuar nga këto grupe ekstremiste në Beograd.

Nuk e kuptoj se për çfarë jeni në terr informativ dhe nuk e kuptoj se pse nuk e shihni kështu siç them unë që e rëndësishme është që flamuri i Kosovës për herë të parë u vendos në Beograd, u pranua de facto nga Beogradi dhe u vendos nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe nga institucioni Europian i futbollit që është UEFA. Është po UEFA që, siç të thashë, e ka mbështetur, vazhdon ta mbështesë dhe do ta mbështesë futbollin në Kosovë, zhvillimin e saj dhe të ndërtojë ura lidhjeje, komunikimi dhe zhvillimi për të gjithë federatat anëtare të saj.

Gjithsecili ka të drejtën të japë opinionin e tij, por unë i ftoj të gjithë që ta shohin si zhvillim pozitiv. Të gjithë ju mund të jepni opsionet tuaja, të gjithë keni të drejtë të jepni opinionet tuaja dhe unë nuk kam as autoritet dhe as të drejtë që t’ju kërkoj të ndryshoni opinionet. Unë kam opinionin tim. Flamuri i Kosovës, i Shqipërisë dhe i gjithë vendeve anëtare ka qenë në sallën e kongresit kur ne jemi futur brenda, dhe nëse ka lëvizur gjatë zhvillimit të kongresit, apo në fund, ta thashë që në fillim, unë këtë nuk e kam parë sepse kam qenë në podiumin e drejtimit të kongresit. Nëse është hequr apo ka pasur një padrejtësi ndaj Federatës së Kosovës, ky është qëndrimi që në fillim duhet ta dish, pastaj ta komentosh.

Unë, faktikisht, nuk e di se sa i shërben ky komunikim i yni pozitivisht kësaj çështjeje, por po ju bëj një pyetje edhe juve. Ju personalisht, a e shihni si zhvillim pozitiv vendosjen e flamurit të shtetit të Kosovës në Beograd apo negativ? Unë mendoj se ne duhet të marrim anën pozitive të çështjes. Nuk është shumë e lehtë, sepse të gjithë këta që tentojnë të bëjnë nacionalistin, qoftë në Shqipëri apo në Kosovë, nuk kanë arritur të bëjnë asgjë nga këto dhe nuk kanë arritur të vendosin asnjë simbol të Kosovës në Beograd. Por komentojnë një gjë që nuk është shumë e lehtë, të vendosësh flamurin e një shteti me një konflikt jo shumë të hershëm dhe që tenton të mos e njohë Kosovën. Kështu që, le ta shohin si një zhvillim pozitiv.

Presidenti Aleksander Ceferin? – Besoj e keni dëgjuar fjalimin e Presidentit Ceferin, e keni dëgjuar qëndrimin e tij për të gjithë zhvillimin apo misionin që ka futbolli, misioni që ai realizon nëpërmjet lojës dhe impaktin në jetën shoqërore që ka, ku ka marrë për shembull zhvillimin e Kampionatit Europian U-21 si vende organizatore mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Kalimi i lojtarit Etnik Brruti nga Kosova te Shqipëria? – Unë besoj se ju i keni marrë të gjitha përgjigjet dhe sqarimet, por është faktikisht e udhës që të jap edhe unë një përgjigje, meqë jemi në këtë komunikim bashkë. Unë e kam thënë sa herë dhe po e rithem që politika e Federatës Shqiptare të Futbollit, të paktën prej dy dekadash, është politika e dyerve të hapura për çdo shqiptar që dëshiron të kontribuojë për ekipin kombëtar shqiptar. E njëjta politikë ka qenë edhe për Etnik Brrutin dhe për gjithë të tjerët. Dhe pa dyshim që ne dëshirojmë që, të paktën si zgjedhje të parë, të kenë Kosovën ose Shqipërinë dhe jo ndonjë kombëtare tjetër. Djali është i talentuar, realisht ka filluar futbollin me ekipet kombëtare të Shqipërisë, pastaj ka vendosur të vazhdojë me ekipet kombëtare të Kosovës dhe të kthehet përsëri në Shqipëri. Ne nuk i kemi thënë, as në kohën që ka shkuar në Kosovë, “pse ke ikur?”, dhe as në kohën që ka ardhur në Shqipëri, t’i mbyllim derën.

Kështu që, do t’i hapim derën çdo lloj futbollisti që i shërben Kombëtares shqiptare, dhe unë mendoj që, siç e the dhe ti, ka një pjesë të opinionit që e përkrah këtë mendim apo këtë vendim të futbollistëve. Ka edhe një pjesë të opinionit që e kundërshton, më shumë sportivisht dhe për mendimin tim kanë dhe të drejtë, sepse nga pikëpamja sportive mbase skuadra e Kosovës dëmtohet. Por politika jonë ka qenë, është dhe do të jetë po kështu; me dyer të hapura për çdo njeri që dëshiron të kontribuojë për Kombëtaren shqiptare. Unë personalisht, dhe gjithë opinioni, nuk kemi pse t’i atakojmë futbollistët që vendosin të luajnë për kombëtaren e Zvicrës, ku ne i kemi bërë heronj kur kanë luajtur, më falni, për kombëtaren e Zvicrës, për Gjermaninë apo për Italinë, dhe në kohën që vijnë të luajnë për Shqipërinë, nuk kemi pse t’i quajmë tradhtarë.

Raporti mes FFK-së dhe FSHF-së? – Unë nuk kam dashur ndonjëherë që t’i mëshoj apo të ritheksoj gjithë marrëdhënien apo kontributin që mund të kemi, kontributin e përbashkët për zhvillimin e futbollit në Kosovë dhe Shqipëri, por është e vërtetë që nuk ka ndonjë marrëveshje xhentëlmenësh, ka një marrëveshje shpirtërore dhe një detyrim të ndërsjellë për të bashkëpunuar, për të qenë bashkë, sepse ne jemi një komb. Dhe ky lloj bashkëpunimi ka filluar shumë herët. Ka filluar që para se Kosova të ishte anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s, në të gjitha drejtimet dhe mundësitë që Federata e Futbollit ka pasur për ta mbështetur atë, jo sepse ne jemi më të mirë, jo sepse jemi më të mëdhenj, por sepse FSHF-ja ishte anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s dhe kishte më shumë mundësi dhe këto mundësi i ka përdorur pa kursim për të mbështetur Federatën e Kosovës.

I ka përdorur pa kursim për të lobuar për anëtarësimin e saj në UEFA dhe FIFA dhe këtë anëtarësim ne e shohim sot si një hap vendimtar, jemi dëshmitarë të një zhvillimi fantastik që i ka dhënë futbollit në Kosovë. Ka qenë, pra shumë determinant. Ne jo vetëm para se Kosova të ishte anëtare në UEFA dhe FIFA, por edhe pas anëtarësimit, kemi vazhduar me bashkëpunime.

Janë përgatitur në Shqipëri trajnerë, që nga niveli i licencës C deri te Pro, mbi 250 trajnerë dhe vazhdojnë të përgatiten çdo ditë. Ka gjithmonë kuotë të veçantë për Kosovën në Federatën Shqiptare të Futbollit. Janë përgatitur dhe trajnuar arbitra. Kemi bërë bashkëpunime dhe asistencë për mirëmenaxhimin le të themi trajnimin e VAR-it për Kosovën, i cili është bërë në Shqipëri dhe vazhdon, e do të vazhdojë të jetë kështu. Pse jo, kemi marrë edhe eksperienca nga Federata e Kosovës dhe bashkërisht kemi ecur përpara.

Pra, politika jonë është gjithmonë që ne jemi bashkë dhe do të vazhdojmë të jemi bashkë. Nuk e cënon këtë marrëdhënie një futbollist, qoftë Etnik Brruti, apo qoftë Armend Dallku që ka qenë në Shqipëri dikur, apo qoftë Debatik Curri. Këto quhen vlera të vërteta në futbollin shqiptar. Ne nuk kemi pse t’i cënojmë gjithë marrëdhëniet tona për shkak të lëvizjes apo dëshirës së një futbollisti.

Ne nuk kemi cënuar marrëdhëniet me Gjermaninë pse ka ikur një futbollist atje, apo në Zvicër, aq më pak do të cënohen marrëdhëniet me Federatën e Futbollit të Kosovës. Qoftë Duka president, apo kushdo tjetër të jetë, unë jam shumë i bindur dhe i sigurt që marrëdhëniet do të vazhdojnë të jenë vëllazërore.

Unë e kam shprehur qartë dhe vazhdoj ta shpreh, kjo do të jetë politika e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ajo do të jetë e hapur për çdo shqiptar që dëshiron të kontribuojë për ekipin kombëtar shqiptar. Ju mund të keni vërejtje për këtë lloj politike, por ne nuk do ta ndryshojmë.

Kualifikueset e Botërorit? – Që me hedhjen e shortit, faktikisht nuk ka qenë një short i kënaqshëm për ne nga pikëpamja sportive, sepse kemi Anglinë, një nga skuadrat që pothuajse asnjëherë nuk ka bërë një hap fals në kualifikuese. Madje, në vitet e fundit ka mbyllur turnetë kualifikues, ndeshjet kualifikuese, me pikë të plota. Kështu që është vërtet një ekip i fortë. Pastaj edhe Serbia është një skuadër me elementë shumë të mirë, por mbase jo një skuadër kompakte. Pra, nuk është një grup i lehtë, por gjithsesi ne kemi filluar me synimin që mund të shkojmë në Botëror dhe do të vazhdojmë kështu.

Vërtet kemi humbur ndeshjen e parë, por nuk është një zhgënjim. Kemi fituar ndeshjen e dytë, që në letër quhet një kundërshtar modest, por kur nuk e arrin rezultatin, bëhet i vështirë, siç eksperiencat tona kanë treguar. Andorra na ka barazuar në vitin 2019 në Tiranë 2-2. Tashmë duket një pengesë e kaluar lehtë, por do të vazhdojmë të kemi pengesa të vështira.

Të gjitha përballjet tona do të jenë të vështira, ajo kundër Serbisë më 7 qershor, ajo kundër Letonisë më 10 qershor dhe për të vazhduar më tej në Serbi, në Shqipëri kundër Letonisë, apo në Andorrë dhe kundër Anglisë. Pra, çdo ndeshje do të jetë e vështirë. E dimë që është një rrugëtim i vështirë, por ne do të synojmë, do të ëndërrojmë.

Gjithmonë Botërori mbetet më i vështirë se Evropiani, sepse kualifikohen vetëm 16 skuadra. Kualifikohen vetëm vendet e para dhe të dytat luajnë në play-off. Besoj se objektivi real i yni, ajo që duhet tentuar më shumë, është që të kërkojmë Botërorin përmes play-off-it. Por dihet që në futboll ka shumë gjëra që duhet të bëhen bashkë dhe unë uroj që të bëhen bashkë. Qoftë edhe ajo që the ti në fjalinë e fundit: “A do shkoni në Botëror?”, apo “Do shkojmë në Botëror?”. Nëse ne themi se do të shkojmë në Botëror, më të lehtë do ta kemi rrugën.

Shanset e Kosovës për në Botëror? – Kosova ka vërtet një grup të balancuar, një grup të përafërt me atë që kishte Shqipëria në Ligën e Kombeve, i cili përfundoi në vendin e fundit me 7 pikë, ku 7 pikë nuk i kishin bërë në tre grupet e tjera bashkë. Nga vendet e fundit dhe ato që u ngjitën më lart, ishin me pikë të barabarta dhe Kosova ka të njëjtën situatë. Mund të arrijë vendin e parë në atë grup me Suedinë, Zvicrën dhe Slloveninë, por mund të arrijë edhe vendin e fundit.

Duhet të ketë fat, duhet t’i ketë futbollistët në gjendjen optimale gjatë zhvillimit të ndeshjeve. E ka filluar mirë, pavarësisht se ishin ndeshje play-off-i për Ligën e Kombeve këto të marsit, por me rezultate shumë bindëse dhe me lojëra vërtet shumë të bukura, qoftë këtu, apo qoftë në Spanjë kundër Islandës. Tashmë uroj që t’i ketë vërtet futbollistët në dispozicion, të ketë formën më të mirë, të ketë mbështetjen maksimale dhe të bëjë rezultate pozitive. Thashë, për mua është një grup i balancuar. Kosova mund të renditet e para në grup, por larg qoftë, mund të renditet edhe e fundit, sepse kaq i balancuar është grupi.

Dy ndeshjet e Shqipërisë me Serbinë? – Ne kemi një eksperiencë në organizimin e ndeshjeve me Serbinë në Tiranë. Padyshim që ka pasur masa të shtuara sigurie, është konsideruar një ndeshje me rrezik të lartë për arsye që dihen, por kemi përfunduar me sukses organizimin e saj pa incidente të mëdha. Ka pasur, faktikisht një goditje me gur ndaj autobusit të futbollistëve serbë në hyrje të Tiranës dhe ky ka qenë incidenti i vetëm, që më mirë do të ishte të mos kishte ndodhur. Jam shumë i bindur që ne, përsëri do ta organizojmë mirë.

Kam besim në eksperiencën e organizatorëve, që është FSHF-ja. Kam besim te ata që do të vijnë në shkallët e stadiumit. Më duket se ne jemi me të vërtetë më të civilizuar dhe dimë ta ndajmë sportin nga politika, dimë të mbajmë emocionet sportive brenda sportit dhe ndihma reale që mund t’i japim skuadrës është ta ndihmojmë sportivisht, ta përjetojmë atë si një ndeshje futbolli. Fitorja jonë është të fitojmë rezultatin në fushë, të fitojmë tre pikët dhe të ecim përpara.

Pa dyshim, kam shumë besim edhe te Policia e Shtetit Shqiptar, që do të na ndihmojë për ta organizuar shumë mirë. Ndërsa, në Serbi eksperiencat janë negative. Më duket se ata kanë shumë më shumë huliganizëm, ne nuk kemi. Ata janë më pak të organizuar se ne, qoftë edhe nga pikëpamja e sigurisë shtetërore. Uroj që të kenë nxjerrë mësim nga ajo ndeshje e kaluar dhe të bëjnë çdo gjë mirë. Shumë e rëndësishme është që të ndërgjegjësohen, qoftë futbollistët serbë, qoftë edhe mbështetësit, që kjo është një ndeshje futbolli dhe ta përjetojnë si një ndeshje futbolli dhe si një festë sportive.

Është përcaktuar se ku do të luhet ndeshja Serbi – Shqipëri? – Jo, akoma nuk është përcaktuar. Ka afate për të përcaktuar stadiumin ku do të luhet ndeshja dhe ata janë ende brenda këtyre afateve. Akoma nuk kanë njoftuar as ne si Federatë, as UEFA-n, se ku do të luhet ndeshja kualifikuese në tetor.

Dy ndeshjet i paraprijnë organizimit të përbashkët për Europianin U-21 të vitit 2027. A besoni se do të shkojë gjithçka sipas frymës sportive, që do të shkojë gjithçka mirë? – Mendoj që është në interesin e të gjithëve që çdo gjë të shkojë mirë. Kam shumë besim te eksperienca që ne kemi në organizimin e eventeve të tilla. Kam shumë besim te të gjithë faktorët brenda vendit që do ta mbështesin, sepse në fund të fundit, që në momentin kur kemi aplikuar për një edicion të tillë, për një kampionat kaq të rëndësishëm, kemi pasur mbështetjen e të gjitha institucioneve publike dhe shtetërore në Shqipëri. Dhe me këtë lloj mobilizimi të përbashkët, jam shumë i bindur që do të arrijmë ta organizojmë në mënyrën më të mirë këtë ngjarje vërtet historike për futbollin shqiptar.

Incidenti me klubin e Tërnocit? – Unë në fakt, e kam parë që kur ka ndodhur, sepse më kanë informuar gazetarët nga Lugina për incidentin e ndodhur në atë ndeshje. Nuk kam një informacion të detajuar, por kam parë qëndrimet e klubit për këtë incident. Nuk di detaje se përse dhe nga se ka ardhur, por gjithsesi është e pafalshme që të cenohen sportistët, qoftë në fushë apo në dhomat e zhveshjes, nga cilido qoftë polic apo kushdo tjetër.

Unë nuk besoj se ka pasur arsye objektive që të ndodhte kjo, por nuk kam informacionin e duhur. Thashë edhe njëherë, të gjithë duhet ta kuptojnë që kjo është një lojë e bukur, që luhet nga të gjithë dhe që duhet të përcjellë mesazhe paqeje. Duhet të krijojë ura komunikimi, pavarësisht se brenda një shteti si Serbia, janë përballur dy skuadra me futbollistë të nacionaliteteve të ndryshme dhe kryesisht shqiptarë. Ajo është një ndeshje futbolli, e cila duhet të shërbejë për të komunikuar më mirë, për t’u bashkuar dhe për të ndërtuar një të ardhme sa më të mirë.

Pra, ky është në një lloj mënyre mesazh im. Për më tepër, unë kam dërguar një letër Federatës Serbe dhe UEFA-s, për të pasur më shumë informacion dhe për të ditur se çfarë duhet të bëjmë, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos cënojnë lojën, futbollin, futbollistët apo gjithçka tjetër që lidhet me sportin. Siç ta thashë, kam dërguar një letër në federatën serbe dhe kemi vendosur në dijeni edhe UEFA-n, për të pasur më shumë informacion dhe i kam kërkuar që të distancohen nga ngjarjet në futboll.

Politika me biletat për ndeshjet e Kombëtares? – Ne kemi vendosur politikat tona si organizatorë për shpërndarjen e biletave dhe këtë gjë e kemi respektuar. E kemi deklaruar publikisht që kemi instaluar sisteme kompjuterike digjitale për shpërndarjen apo shitjen e tyre, të cilat lejojnë çdo individ të prenotojë jo më shumë se katër bileta dhe kjo është respektuar. Nuk i është mohuar e drejta askujt dhe as nuk i është dhënë privilegji.

Diskutimi këtu është se gruptimi i tifozëve Kuq e Zi, apo edhe ndonjë grup tjetër, kërkon që të ketë bileta të rezervuara dhe siguruar nga FSHF-ja, sepse kjo ka qenë realisht dhe tradita e mëparshme se si është vepruar. Ne mendojmë se është më mirë që çdo njeri të ketë shanse të barabarta, duke pasur parasysh dhe rritjen e kërkesës për të mbështetur ekipin kombëtar në stadium dhe nuk ia mohojmë të drejtën askujt që të blejë bileta, qoftë ai edhe grupi i tifozëve, të cilët ofenduan dhe shanë në stadium, në ndeshjen kundër Andorrës, dhe për të cilën ne, sepse nuk ofenduan dhe shanë vetëm presidentin e federatës, por bënë edhe thirrje, le të themi nacionaliste, të cilat nxisin urrejtje apo provokojnë. Për këto ngjarje, ne jemi përsëri në proces disiplinor.

Edhe njëherë, unë mendoj që ne nuk i mohojmë të drejtën askujt, por i japim shanse të barabarta të gjithë atyre që duan të mbështesin Kombëtaren shqiptare. Nëse i referohemi ndeshjes së fundit, siç thashë, ai grupimi që ishte në stadium ka blerë bileta për të hyrë në stadium, sepse pa blerë bileta nuk mund të hynte.

Çështja me këngën “Mora Fjalë” në stadium? – Ju i ndërtoni argumentet vetë, jepni opinionet për ato argumente që i keni ndërtuar ju. I bëni vetë dhe i çbëni vetë. Ne as nuk heqim dhe as nuk bëjmë këngë. Në fund të fundit, ajo që e ka bërë më popullore atë këngë ka qenë Kombëtarja shqiptare dhe meqë ne e bëmë kaq shumë popullore, ne ishim ato që e censuruam. Këto janë idiotësi, që nuk e di se kush i shpik dhe nuk e di kujt i interesojnë, si kjo idiotësi, ka edhe idiotësi të tjera. Unë nuk e di se kujt i intereson që duhet të themi se Kosova dhe Shqipëria, që duhet të themi Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata Kosovare e Futbollit. Nuk e di se kujt i intereson që ne duhet të na fusin të tilla “spica”, që hoqëm këngën. Ne e kemi promovuar atë këngë, ne e kemi bërë që të jetë hit, për gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë Shqipërisë, edhe këtë nuk keni pse ta ktheni në negative, le t’i shohim gjërat pozitivisht. E keni dëgjuar gjithmonë dhe do të dëgjoni çdo lloj kënge që e motivon futbollistët dhe që është e dashur për spektatorët.

Infrastruktura sportive në Shqipëri, do të ndërtohen tre stadiume të reja? – Kemi përfunduar një stadium, në Rrogozhinë në të cilin do të luhen disa ndeshje nga turneu final i Kampionatit Europian U-17 2025 dhe kemi një projekt për ndërtimin e gjashtë stadiumeve të tjera, në Durrës, në Vlorë, në Korçë, në Vorë në Kavajë dhe në Tiranë, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Vërtetë, infrastruktura në Shqipëri ka ndryshuar shumë, ka ndryshuar në stadiume, ka ndryshuar në fushat e stërvitjes, dhe këto i kanë shërbyer zhvillimit të futbollit në vend.Janë projekte të mëdha, janë projekte të rëndësishme, dhe kryesisht ne, me menaxhimin shumë të mirë të drejtave që ne kemi si organizator i futbollit në Shqipëri, nëpërmjet sponsorëve, nëpërmjet marketingut, nëpërmjet të drejtave televizive, reklamave, dhe një mbështetje shumë të fortë dhe të madhe nga FIFA dhe UEFA.

A synon të jesh president i UEFA-s, në një të ardhme të afërt ose të largët? – Jo, nuk e kam fare në objektivat e mia këtë. Unë në planin personal, jam shumë i lumtur nëse do i shërbej futbollit shqiptar, do vazhdojë t’i shërbej me të gjithë mundësitë e mia mirë, dhe nëse qënia ime deri në këtë pozicion që jam, Zv. President i UEFA-s, i shërben futbollit shqiptar, le të jetë mbase edhe më gjatë. Nuk kam objektiva të mi për të qenë president. Ne e kemi presidentin e UEFA-s, Aleksander Čeferin dhe unë e mbështes fortë atë dhe për të ardhmen.

Tifoz i cilit ekip europian je? – Kam qenë dikur milanist, mbase edhe për arsye të ngjyrave kuq e zi, por ky lloj tifozllëku tani për klube është zbehur, sepse jam i përqendruar te Kombëtarja shqiptare dhe emocionet e Kombëtares shqiptare nuk krahasohen me asnjë lloj kompeticioni tjetër, jo vetëm sportiv por edhe jashtë sportit. Mbetem një simpatizant milanist, por jo tifoz.

Cili është lojtari shqiptar më i mirë i momentit? Broja, Asllani, Zhegrova, Rrahmani, Muriqi apo dikush tjetër? – Kjo është pyetje e vështirë, të gjithë këta që the ti janë shumë të talentuar, qoftë Broja, qoftë Zhegrova që më pëlqen shumë për nivelin teknik të tij dhe për ato që ka dhënë në fushë. Rrahmani që është solid, qoftë te Napoli apo te Kombëtarja e Kosovës. Asllani pa dyshim, tani mbase përmenda ca emra, por mund të përmendë edhe shumë të tjerë. Nuk mund të themi për një individ që është më i miri dhe kryesisht në Shqipëri. Nëse do të krahasojmë futbollistët tanë me ndonjë Kombëtare tjetër, mbase nuk kemi yje aq shumë sa ata, por ajo që kemi më të mirë, kemi një skuadër kompakte dhe çdo individ që them unë, do ta cenonte këtë skuadër kompakte.

Cilët lojtarë të Kosovës do të doje t’i kishe pasur pjesë të Kombëtares shqiptare? – Zhegrova vërtet është lojtar i mirë, po të ishte do ta ndihmonte shumë ekipin Kombëtar shqiptar, dhe Amir Rrahmani, të cilin e kemi pasur dhe e kemi humbur, dhe si kemi thënë kurrë pse ike në Kosovë, por përkundrazi e kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë ta mbështesim, atë dhe disa të tjerë që kanë lënë Kombëtaren e Shqipërisë për Kosovën. Portieri Murici gjithashtu shumë i mirë, Muriqi sulmuesi, ka disa emra shumë të mirë.

Si e sheh rivalitetin mes Peles, Maradonës, Messit e Cristiano Ronaldos? Cili është lojtari më i mirë në histori të futbollit sipas jush? – Kam pak konflikt interesi këtu, sepse nisem nga emri, Armando, do të zgjidhja Maradonën. Vërtet futbollist i madh, ka bërë epokë në futboll. Futbollist i madh për mua është ai që e merr një skuadër dhe e bën të ndjehet vërtet edhe nëse nuk ka kualitetet të tjera brenda. E bëri Napolin skuadër të madhe, e bëri Argjentinën kampione, pra është një futbollist vërtet shumë i madh. Nuk ka ndonjë diferencë të madhe me emrat që përmendët ju. Ronaldo pa dyshim shumë i mirë, Messi po ashtu. Të tjerët që po vijnë tani, Yamal e të tjerë.

Lojtari më i mirë në botë i momentit? – Nga këto që luajnë sot, është e vështirë t’i ndaj, janë Ronaldo dhe Messi. Kanë karakteristika të ndryshme, por janë të dy vërtet shumë të mëdhenj. Ndërsa nga ata që premtojnë shumë, është Lamine Yamal.

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga