Shqipëria e vajzave zhvilloi sot ndeshjen e dytë miqësore të planifikuar ndaj Turqisë. Në takimin e luajtur në “Riva Milli Takım Tesisleri”, përfaqësuesja kuqezi u mund me rezultatin 2-0.
Në ndryshim nga ndeshja e parë, trajneri Grima bëri 8 ndryshime në formacion, duke i dhënë mundësinë thuajse të gjitha vajzave të grumbulluara të aktivizohen. Formacioni titullar ishte: Hyska (GK), Vuksani, Bajraktari, Tukaj, Tom, Franja, Zarka, Deda, Tahirukaj, Begallo, Redzepi.
Skuadra zhvilloi një pjesë të parë shumë të mirë, pavarësisht disavantazhit. Në minutën e 9-të, Zarka provoi goditjen e parë drejt portës, duke tentuar të gjejë rrjetën, por topi përfundoi mbi traversë.
Vendaset kaluan të parat në avantazh në minutën e 16-të, falë golit të realizuar nga Busem Seker.
Redzepi ishte shumë pranë golit të barazimit në minutën e 39-të. Pas një goditjeje dënimi nga Vuksani, e cila dërgon topin drejt zonës dhe që fillimisht grushtohet nga portierja, Redzepi gjuan, por topi përfundon në këndore.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0 për Turqinë.
Me nisjen e pjesës së dytë, trajneri Grima kreu dy zëvendësimet e para, duke futur në lojë Megi Doçin dhe Klea Hamonikajn në vend të Ilarja Zarkës dhe Suzane Vuksanit. Pak minuta më vonë u kryen edhe dy ndërrime të tjera, Qëndresa Krasniqi dhe Fortesa Berisha zëvendësuan Nadia Tahirukajn dhe Dafina Redzepin, ndërsa Alma Hilaj dhe Valentina Troka hynë në lojë në vend të Ezmiralda Franjes dhe Mesuare Begallos.
Pjesa e dytë nisi më mirë për vajzat kuqezi, të cilat u afruan disa herë pranë zonës dhe krijuan raste, por pa arritur të finalizojnë. Vendaset shënuan golin e dytë në minutën e 83-të, duke vulosur rezultatin 2-0, ndërkohë që në minutat e fundit Turqia shënoi një tjetër gol, që u anulua për shkak të një faulli.
Kjo ishte ndeshja e dytë miqësore mes dy skuadrave, pas barazimit 1-1 në sfidën e parë. Dy takime që i shërbyen stafit kuqezi për të testuar elementet e reja, për të parë gjendjen e skuadrës dhe për të përmirësuar aspektet taktike në kuadër të kualifikueseve të ardhshme.
