
Shiriti i kapitenit është në krahun e tij dhe në Euro 2024 ka përgjegjësinë që të udhëheqë Kombëtaren drejt triumfit. Lideri i mbrojtjes, Berat Gjimshiti është gati më shumë se kurrë për të sfiduar Italinë.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, 31-vjeçari shprehet se nuk duhet ta mbivlerësojnë Itaalinë, pasi i njohin mirë italianët. Gjithashtu ai nënvizon se ekipi i di forcat e veta dhe në Euro 2024 do të bëjë maksimumin për të marrë rezultate pozitive.
“Kur luan kundër një kombëtareje si Italia nuk është se ke shumë avantazhe në favor, por kur e njeh kundërshtarin të shërben shumë për mënyrën si përballesh në fushë. Nëse nisemi mirë kundër Italisë, atëherë do të fitonim besim edhe për ndeshjet e radhës, do të mund t’i menaxhonim më mirë ato.
Italia sigurisht që është favoritja të shtunën, unë e di sepse e njoh potencialin e atyre që para tre vitesh u shpallën Kampionë të Europës. Edhe pse pas vitit 2021, Italia ka pasur ulje dhe ngritje. Janë një kundërshar që duhet t’i respektojmë, por jo t’i mbivlerësojmë”, u shpreh Gjimshiti.