Kombëtarja shqiptare do të udhëhiqet nga sot e deri në vitin 2028 nga trajneri Rolando Maran. Italiani u prezantua para mediave në konferencën për shtyp të mbajtur nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili komunikoi dhe zyrtarizimin e kësaj marrëveshjeje, pas ikjes së Sylvinhos.
Në stafin teknik të kuqezinjve, Maran do të ketë dhe një “forcë” më shumë në punën që ka marrë përsipër të bëjë, kjo sepse Christian Maraner do t’i bashkohet 63-vjeçarit me rolin e asistentit.
Maraner mund të quhet ndryshe edhe “hija” e Maran, pasi ai e ka ndjekur “këmba këmbës” në çdo përvojë të këtij të fundit dhe në çdo skuadër ku kanë punuar në kampionatin italian si Varese, Catania, Cagliari, Genoa, Pisa dhe në fund Brescia.
Shqipëria do të jetë “streha” e radhës e tyre, ndaj dhe pritet me shumë vëmendje se çfarë do të prodhojë ky kombimin idesh mes tyre dhe sa do të reflektojë në rezultatet e ndeshjeve të ardhshme, ku kombëtarja do të luajë në Ligën e Kombeve.
