Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

KOMBETARJA

EKSKLUZIVE/ “Serbia ogur i mirë, lojtarët karikohen dyfish”, Duro analizon grupin e Kombëtares: Kemi shanse reale për kualifikim, të shfrytëzojmë faktorin “shtëpi”

Shkruar nga NEWSPORT
EKSKLUZIVE/ “Serbia ogur i mirë, lojtarët karikohen
Klodian Duro

Kombëtarja shqiptare njohu ditë ne sotme kundërshtarët e grupit në kualifikueset e Botërorit 2026. Shqipëria u shortua në Grupin K, së bashku me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën. Pas këtij shorti për “Newsport.al”, ka folur ish-futbollisti i Kombëtare shqiptare, Klodian Duro.

Tashmë në rolin e trajnerit, Duro analizon grupin e Shqipërisë, duke thënë se vetëm Anglia është një kundërshtar më i favorizuar se ne. Me Serbinë, Duro e sheh një ndeshje të barabartë, duke thënë se serbët janë një ogur i mirë për Kombëtaren tonë, pasi me ta në grup u kualifikuam për herë të parë në një Europian.

“Nuk ishte shorti më i mirë i mundshëm, pasi ishin 2-3 grupe të tjera ku ishim më të favorizuar, të paktën në letër, pasi fusha është gjë tjetër. Por që edhe në këtë grup me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën i kemi shanset shumë të mëdha për t’u kualifikuar në Botëror.

Favoriti kryesor është Anglia, dihet madhështia e tyre, me historinë, me gjithçka. Por shanset i kemi shumë të mëdha, pasi me Serbinë do të luajmë si të barabartë dhe normalisht kjo është një ndeshje që kërkon përqendrimin maksimal për historinë e dy shteteve tona. Por edhe për historinë e ndeshjeve tona, siç ishte ajo e vitit 2014-ës. Por që ishte një ogur i mirë Serbia pasi u kualifikuam në Europian për herë të parë, duke pasur në grup Serbinë.

Mendoj dhe jam shumë optimist që i kemi të gjitha shanset për të bërë mirë në këto eliminatore dhe pse jo të kualifikohemi për herë të parë në një Botëror, që do të ishte arritja më e madhe e gjithë futbollit shqiptar. Mendoj që duhet të shohim me qetësi kalendarin e ndeshjeve, datat, kur luajmë. Në varësi të këtyre dhe formës së futbollistëve, të ndeshjeve të para dhe mbledhjes së pikëve, atëherë do të kemi një panoramë më të qartë dhe mund të bëjmë një llogari në letër.

Duhet të jemi 100 përqind të fokusuar pasi kemi një grup të favorshëm për ta luajtur deri në fund. Nëse nuk arrijmë vendin e parë, gjë që varet shumë nga ndeshjet direkte me Anglinë, të paktën të jemi të dytët që të kemi një mundësi tjetër me “play-off”.

Unë jam shumë optimist, sepse kemi shumë futbollistë të cilët mund të kontribuojnë shumë mirë te Kombëtarja. Duhet rregulluar pak pjesa e mentalitetit pas Nations League. Duhet të shfrytëzojmë ndeshjet në shtëpi me tifozërinë tonë që të marrim pikët maksimale. Uroj që nga ky short dhe nga ky grup të marrim më të mirën, i kemi të gjitha shanset. Që nga ndeshja e parë duhet të hymë me synimin dhe të përqëndruar, që në çdo ndeshje të futemi vetëm për të fituar.

Të marrim pikë sa më shpejt që pastaj t’i lejojmë vetes që kundër Anglisë dhe Serbisë të luajmë të barabartë.

Ndeshja me Serbinë... historia nuk mund të harrohet lehtë, ashtu si ndeshje e pezulluar në minutën e 41’. Vitet kanë ecur, kanë kaluar, por kjo është gjë e mirë që kemi Serbinë, pasi kjo ndeshje i karikon lojtarët vetvetiu dhe dyfish. Kjo ndodhi dhe në ndeshjen e pezulluar, ishim të barabartë dhe kjo solli irritimin e tifozëve serbë asokohe.

T’i marrim maksimumin ndeshjeve që luajmë në Tiranë sepse kemi një publik të zjarrtë. Më pas të mbledhim shumë pikë edhe jashtë, që do të jetë maksimumi i mundshëm për të qenë kompetitiv. Siç e thashë, jam optimist pse jo të arrijmë një kualifikim për herë të parë në Botëror”, është shprehur Klodian Duro për Newsport.al. /Nikoll RAJTA/

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga