Rolando Maran ishte një emër surprizë në stolin e Kombëtares, por trajneri italian nuk vjen “thatë” nga Italia. Ai ka qenë “timonier” i Catanias në sezonin 2012/2013, kur ekipi italian i surprizoi të gjithë në Serie A.
Kjo surprizë vjen për faktin e pikëve rekord, 56 të tillë dhe vendi i 8-të në renditje. Por jo vetëm kaq, atë sezon, 62-vjeçari e “shndërroi” ekipin në makthin e kryeqytetasve, duke përmendur këtu Lazion dhe Romën.
Të dy këto skuadra “shijuan” pak nga doza e trajnerit italian, që në sezonin 2012/2013, bëri mjaft mirë.
Ndaj Romës fitoi 1-0 dhe barazoi 2-2, duke mos i lënë “verdhekuqtë” të merrnin 3 pikë ndaj tyre. Në krahun tjetër, humbja në një ndeshje përballë Lazio me shifrat 2-1 s’ishte asgjë.
Kjo për shkakun se Maran dhe Catania e tij po atë sezon i kishin dhënë leksione golash lacialëve, duke i mposhtur me shifrat 4-0. Në atë periudhë, pjesë të ekipit Maran kishte edhe ish-in e Shqipërisë, Edgar Çanin.

