Është kompletuar java e dytë e Superligës së Basketbollit ditën e djeshme. Takimi përmbyllës ka qenë Kamza-Besëlidhja në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” në Durrës.
Ekipi nga Lezha ka likuiduar kamzalinjtë me 27 pikë diferencë duke siguaruar 2/2 fitore në kampionatin shqiptar. Nisja e mbarë e skudrës së trajnerit të njohur të basketbollit shqiptar Afrim Bilali ka nisur qysh në fitimin e Kuës së FSHB-së në Elbasan, trofeu i parë sezonal. Lezhjanët vazhdojnë ecurinë edhe në elitën e basketbollit shqiptar, duke diktuar që në fillim kush do të jetë pretendent për fitimin e titullit kombëtar. Më i miri i Besëlidhjes ishte ish-lojtari i Tiranës, Julian Ahmati me 26 pikë.
Pas 2 sfidave të para Teuta, Tirana dhe Besëlidhja kryesojnë me pikë të plota dhe me kryeqytetasit dhe besëlidhësit që duken “on-pole” për të luftuar deri në fund të edicionit. Pa pikë janë Vllaznia, Kamza dhe Apolonia. Fierakët duken në gjendje të mjerueshme me totalin e pikëve të pësuara më të shumtin në Superligë. Shkodranët kanë traditë në basketboll, por në nisje nuk po arrin dot “nxehjen” e duhur. Tabela është ndarë në dysh, me 3 ekipet e para me syrin tek trofeu e 3 të mbeturat me syrin tek mbijetesa.