
Skënderbeu do të hapë siparin e këtij kampionati ndaj Partizanit. Korçarët do të përballen me të kuqtë ditën e premte në ndeshjen e parë për edicionin e ri, sfidë që do të zhvillohet në orën 19:45 në Korçë.
Lidhur me këtë takim por edhe pritshmëritë që skuadra bardhekuqe ka për sezonin e ri, ka folur sulmuesi i korçarëve, Blerim Krasniqi. 22-vjeçari nga Kavaja ka shkuar më tej, duke deklaruar se me Skënderbeun do kërkojë të fitojë "Këpucën e Artë", çmim që vitin e shkuar u fitua nga Ali Sowe.
"Fituam Superkupën gjë që e kishim detyrim ta bënim. Mendoj se merituam këtë titull. Jemi shumë lojtarë që kemi marrë pak minuta, por besoj që në të ardhmen do bëjmë më mirë. Ndeshja e parë zyrtare është e rëndësishme për dhe besoj se do japim shumë si ekip jo vetëm unë. Do mundohem të bëj mirë me Skënderbeun, të shënoj shumë gola, pse jo mos jem ndër emrat e parë si golashënuesi më i mirë në Superligë. Ndaj Partizanit? Është ekip i mirë, por besoj se në përballjen me ne, tre pikët do t'i marrë Skënderbeu. Jemi më të fortë pasi e dimë që e kemi rival direkt dhe jemi të motivuar nga fitorja e fundit. Tjetër avantazh është që ndeshja luhet në shtëpinë tonë, element pozitiv për ne", është shprehur Krasniqi për mikrofonin e RTSH-së.