
Partizani udhëton sot drejt Korçës për të luajtur takimin e javës së 21-të të kampionatit përballë Skënderbeut. Dje, në të dyja kampet iu është dhënë dora e fundit përgatitjeve dhe sot pritet që në fushë të zbresin më të mirët.
Për Partizanin sot pritet të ketë tre rikthime të rëndësishme. Batha dhe Trashi kanë lënë pas pezullimin, një ndeshje e kanë shlyer ndaj Kukësit, ndërsa gjysma tjetër e dënimit është paguar nga ana e klubit. Një tjetër rikthim i rëndësishëm është ai i Prognit i cili do të jetë i gatshëm për sfidën e sotme.
Mungesa do jenë Culum i cili ka marrë karton të kuq në sfidën me Kukësin. Bruno Telushi i cili ka kryer një ndërhyrje në menisk në gju dhe pritet të qëndrojë për pak javë jashtë fushave. Edgar Çani ka vazhduar me stërvitjen në palestër dhe ende nuk është gati për të ndihmuar skuadrën.