
Simon Kjaer ka luajtur këtë sezon plot 22 ndeshje me fanellën e Milanit. Edhe pse në moshën 34-vjeçare, mbrojtësi danez i është gjendur pranë Stefano Piolit, kur ky i fundit vuante dëmtimet e shumta në fazën e mbrojtjes.
Por megjithatë, pritet që në merkaton e ardhshme verore, Kjaer t’i japë lamtumirën “San Siros”. Teksa është vetë futbollisti, që së fundmi ka folur për të ardhmen e tij. Ai shpreh qartë dëshirën e tij për të qëndruar në Milano.
“Jam në vendin ku dua të jem. Vendimi merret tani apo pas dy muajsh, asgjë nuk ndryshon për mua. Nëse mund të qëndroj në Milano do të isha shumë i lumtur, por planet e Milanit janë të fokusuara te lojtarët e rinj. Di të them që e dua këtë fanellë dhe se për të kam refuzuar oferta nga Arabia”, është shprehur qendërmbrojtësi danez.
Kujtojmë që kontrata e danezit përfundon në qershor të këtij viti dhe nga ana e drejtuesve të Milanit nuk ka asnjë lëvizje përsa i përket rinovimit. Kjaer pritet që të largohet si lojtar i lirë në fund të këtij sezoni.