
Drejtuesit e Kukësit kanë bërë afrimin e parë në merkato, teksa kanë afruar sulmuesin Sidrit Gurin. Shkodrani 22 vjeçar ishte pjesë e organikës së Korabit në sezonin që sapo u mbyll ku arriti të shënojë 20 gola. Guri vlerësohet si ndër sulmuesit me të mirë dhe më me perspektivë në Shqipëri. Kjo ka bindur verilindorët t’i ofronin një kontratë për të garuar me ta në Kategorinë Superiore. Sulmuesi ishte në bisedime me disa ekipe, ndërkohë që më parë u pat thënë se do të firmoste me Partizanin, por tashmë nuk ka më asnjë aludim për të ardhmen e tij, pasi tashmë ai është i Kukësit. Sulmuesi u prezantua nga drejtori Dritan Dervishi në ambjentet e klubit. Ndërkohë presidenti Safet Gjici, ka shprehur besim tek ky lojtar dhe i ka kërkuar stafit teknik, që të vijojë punën për të sjellë lojtarë cilësorë në ekip.