Jasir Asani do të rikthehet tek skuadra e Partizanit. Kështu ka deklaruar sulmuesi i Kombëtares në emisionin “Në shtëpinë e Futbollit” për moderatoren Lenida Halilaj, teksa pritet që shumë shpejt stërvitja e tij të zhvendoset në kampin e “Demave”.
Situata e vështirë që po kalon momentalisht Iran, ka detyruar anësorin që të “braktisë” përkohësisht skuadrën e tij Esteghlal e të vijojë stërvitjen normalisht në Shqipëri.
Lufta ka bërë që kompeticionet të pezullohen në Lindjen e Mesme, teksa më herët lojtari i Kombëtares "qetësoi" tifozët duke theksuar se ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
I cilësuar si një prej lojtarëve më të dashur për tifozët e kuq, qëllimi parësor i Asanit është që të mos humbasë rendimentin e tij fizik, në një periudhë të rëndësishme kur mbeten dhe pak javë larg ndeshjes së Kombëtares në play-off me Poloninë.
Nuk përjashtohet edhe mundësia që 30-vjeçari të konsiderojë një "ribashkim" me skuadrën e tij të zemrës, pasi FIFA dhe UEFA mund të lejojnë që lojtarët e kthyer nga Irani të mund të aktivizohen në ekipe të tjera.
