Federik Veseli ishte pjesë e ‘formacionit’ të Kombëtares në podcastin e kryeministrit Edi Rama. Mbrojtësi kuqezi ka folur si lojtari më i ‘vjetër’ në studio, ndërsa prek edhe çështjen e lënies jashtë të Gjimshitit në Euro 2016, vendin e të cilit e zuri vetë ai.
“Janë bërë 8 vite, me 15 nëntor saktësisht. Nuk janë pak në karrierën e futbollistit. Unë isha në Europian por nuk bëra kualifikime, i bëri të gjitha Berati (Gjimshiti) dhe trajneri më seleksionoi mua më pas. Dua të them edhe para Beratit se sa herë vjen kjo bisedë, duket sikur ka një elefant në dhomë për mua. Fakt është që futbolli ndryshon shumë.
Ndryshimet janë të shumta nga ajo kohë e tani, kemi patur momente të vështira ku kemi humbur me Luksemburgun dhe nuk pranohej nga askush. Tani jemi në një moment të mirë e të bukur dhe shpresoj ta shfrytëzojmë këtë moment të ecim përpara, të mos bëjmë një hap para dhe dy mbrapa.
Kjo është më e rëndësishmja, kualifikimin e kemi marrë dhe duhet të shkojmë në Gjermani të tregojmë veten. Tifozët shqiptar janë të jashtëzakonshëm, e pamë në Francë. Puna jonë është të pasqyrojmë tifon e shqiptarëve në fushë. Pas Europianit duhet të ecim para e të mos kthehemi mbrapa.”