
Egnatia shkarkoi pak ditë më parë trajnerin Gugash Magani. Humbja e fundit nga Kukësi, por edhe rezultatet jo të mira në ndeshjet e fundit bënë që drejtuesit të merrnin vendimin drastik për të larguar trajnerin që i solli në Superligë pas shumë vitesh. I ftuar në emsionin “Skaner”, menaxheri i njohur Andi Matraxhiu zbuloi disa prapaskena për largimin e Maganit.
“Drejtuesit e Egnatias, janë të rinj në këtë fushë. E shikoj një vendim të nxituar. Ky vendim është shumë i gabuar. Problemi duhet analizuar me detaje. Ka përplasje prej kohësh për lojtarët dhe kush do të vendosë për merkaton e janarit. Edhe në verë kishte përplasje me personat përgjegjës për merkaton. Duhet të shikojmë edhe gjërat e brendshme. Shikoj që ky klub nuk ka një të ardhme të ndritur nëse vazhdojnë kështu. Klubi duhet të jetë një hapësirë e gjelbër për të gjithë.
Braziliani, Augusto mund të jetë edhe molla e sherrit, sepse u tha që në ndeshjen e fundit mungoi për shkak dëmtimi, por lëndimi ka qenë i vogël në dorë. Rezultatet nuk i japin të drejtë drejtuesve. Këtu ka prapaskena, që të merremi me fenomenin.
Nëse drejtuesit, e shikojnë si një ekip për Europë dhe titull, do të gabojnë shumë dhe do të ketë shumë Maganë”, u shpreh Matraxhiu.