
Skuadra e Teutës do të zhvillojë një fazë përgatitore në Itali. Lajmin e bën të ditur klubi durrsak, teksa përmes një njoftimi në faqen zyrtare në facebook lajmëron se merkato do të zbulohet në ditët e ardhshme, ndërkohë që trajneri Magani do të punojë me lojtarët që ka në dispozicion.
“Faza përgatitore në Itali,
Drejtuesit e klubit të Teutës kanë vendosur që të zhvillojnë fazën përgatitore në Itali. Nisja nga Durrësi do të bëhet më datë 17 korrik dhe ekipi do të qëndrojë tri javë të plota në shtetin fqinj, ku trajneri Magani do të punojë me lojtarët që ka në dispozicion dhe ata që do të afrohen nga merkato.
Sa i takon merkatos, drejtuesit kanë mbajtur sekret çdo emër futbollisti me të cilin janë në bisedime, pasi publikimi i tyre do të bënte që tratativat të vështirësoheshin. Zyrtarizime do të ketë vetëm në momentin që lojtarët do të hedhin firmat mbi kontratë. Gjatë fazës përgatitore te Teuta do të ketë lojtarë në provë, si dhe do të zhvillohen disa ndeshje miqësore për të parë nga afër formën e çdo lojtari”, shkruhej në njoftimin e Teutës.